Maqedoni

Tragjedia në Tetovë, Osmani: Hetim, më pas dorëheqje

17.09.2021 15:10

Tragjedia në Tetovë s’duhet shikuar sipërfaqësisht vetëm për përfitime politike...

Tragjedia në Tetovë s’duhet shikuar sipërfaqësisht vetëm për përfitime politike, por nevojitet hetim thelbësor për nxjerrjen e mësimeve që të njëjtat mos të përsëriten në të ardhmen, vlerëson funksionari i lartë i BDI–së Bujar Osmani. Duke mbështetur vendimin e kryeministrit që pas rezultateve të vendoset për dorëheqjet, Osmani  thotë se vetëm atëherë çështja s’do mbetej politike dhe të shfrytëzohej për zgjedhjet lokale.
 
“E para do të kemi fotografi jo reale, e dyta do të kemi konkluzione jo të sakta dhe s’do nxjerrim mësim për më tej për sistemin. Sistemi shëndetësor i tejkalon kufijtë e interesave partiake pasi që aty mjekohen opozita, pozita, shqiptarët dhe maqedonasit. Andaj patjetër duhet të kemi edhe analizë objektive në të cilën, pa u përjashtuar përgjegjësia morale dhe politike, t’i shtohet edhe ekspertiza objektive që të jetë e plotë. Në të kundërtën do të mbetet vetëm një vendim politik që s’do na shërben asgjë neve si sistem dhe vetëm do të shfrytëzohet nga partitë politike në zgjedhjet lokale.”- tha Bujar Osmani, funksionar i lartë i BDI–së.
 
Misajllovski: Dorëheqje dhe hetim objektiv
 
Nga VMRO–DPMNE këmbëngulin në dorëheqje tani edhe të kryeministrit i cili sipas tyre po bashkëvepron në fshehjen e motiveve të tragjedisë duke pezulluar dorëheqjet.
 
“VMRO–DPMNE nuk kërkon përgjegjësi nga qeveria për shkak të ambicieve politike ose motiveve personale kundër Zaevit ose Venko Filipçes, por pasi që janë të paaftë dhe për shkak të hetimit objektiv që do të duhet të ndodh. Kryeministri Zaev përderisa mbron Filipçen do të thotë se edhe Zaev do të duhet të dorëhiqet për shkak të pjesëmarrjes aktive në heshtjen e përgjigjeve që mundojnë mbarë opinionin.”,- u shpreh Vllado Misajllovski nga VMRO – DPMNE.
 
Ditë më parë edhe kryeministri mohoi të mendojë për dorëheqje, ndërkohë që vendimin e tij për dorëheqjet e deponuara në qeveri do ta bazojë në rezultatet forenzike që sipas ekzekutivit duhet të dalin së shpejti.
 
MERAL ISMAILI