Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë, Simovski: Presim 1 mln regjistrime deri të shtunën
17.09.2021 17:14
Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në gjithë territorin e shtetit po shkon pa probleme dhe me intensitetin e duhur...

Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në gjithë territorin e shtetit po shkon pa probleme dhe me intensitetin e duhur, theksoi drejtori i ESHS-së, Apostoll Simovski. Deri më tani janë regjistruar 800.008 qytetarë, 249.500 amvisëri dhe 336.109 banesa.
“Deri të shtunën presim që numri të shkojë në 1 milion qytetarë të regjistruar. Numri i atyre që refuzojnë është i parëndësishëm, ndërsa pas bisedimeve, tek ato nuk ka më mëdyshje dhe regjistrohen. Ata që bëjnë thirrje për bojkot, kryesisht përmes rrjeteve sociale nuk ia mendojnë të mirën shtetit. Përsëris që regjistrimi është operacion statistik, e jo politik.”,- tha drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski.
Në Dibër janë regjistruar mbi 50% e popullatës
Simovski bashkë me bashkëpunëtorët e tij vizitoi rajonin e Dibrës nga ku prej afër pa se si po zhvillohet procesi i regjistrimit.
“Ditëve të para kishim problem teknik me sistemin elektronik, por tash ai problem u zgjidh dhe regjistrimi shkon shumë mirë. Nuk ka reagime nga popullata, nuk ka bojkot të regjistrimit, janë regjistruar edhe qytetarët rezidentë edhe ata jorezidentë. Deri më sot janë regjistra mbi 50% të popullatës dhe presim deri në fund të muajit ta kryejmë këtë proces.”,- theksoi Reshat Qormemeti nga Komisioni Regjistrues Lokal.
Mundësinë për vetëregjistrim në diasporë deri më tani e kanë shfrytëzuar 193.168 persona. Regjistrimi i popullsisë pritet të përfundojë më 30 shtator.
ERSAN PAJAZITI
