Maqedoni

Protesta në Tetovë, familjarët kërkojnë përgjegjësi

17.09.2021 18:00

Në Tetovë u protestua për drejtësi dhe hetim të pavarur për zjarrin tragjik në spitalin modular...

Në Tetovë u protestua për drejtësi dhe hetim të pavarur për zjarrin tragjik në spitalin modular ku humbën jetën 14 persona. Familjarët që humbën të afërmit e tyre duan drejtësi.
 
“Ne kërkojmë vetëm përgjegjësi e drejtësi.”- tha një qytetar.
 
“Si ka ardhur dita edhe në spital nuk mund të shkosh, nuk kemi siguri. Ne të na tregojë shteti ku të shkojmë ne, cili shtet është më i sigurt të shkojmë dhe të shpëtojmë familjen, fëmijët, nënën e babën.”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Un kërkoj drejtësi, jo vetëm për motrën time, por për të gjithë. Krejt duam ta dimë nga ku erdh ky zjarr, materiali që është ndërtuar nuk është për spitale.”,- theksoi një qytetar.
 
Pengohen t’i afrohen selisë së BDI-së, eskalon situata mes disa protestuesve e policisë
 
Protesta filloi e qetë me marshin drejt komunës së Tetovës. Por, atje disa protestues filluan të qëllojnë me vezë ndërtesën e komunës e më pas u drejtuan drejt selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël, ku u penguan nga policia. Disa protestues  ndërruan kahjen e lëvizjes dhe duke u përleshur me policinë arritën përmes oborreve të disa shtëpive  private t’i afrohen selisë së integristëve ku u ndaluan nga Njësia Speciale. Protestuesit u ankuan për praninë e policisë dhe për faktin se rrugët e marshit nuk ishin pastruar nga veturat. 
 
“Për çfarë arsye bllokojnë rrugët kur protesta është e qetë.”,- tha një qytetar. 
 
Për shkak të lëndimeve që kanë marrë disa policë nga protestuesit janë privuar nga liria dy persona. Ndërkaq nga burime të sigurta të SPB-së - Tetovë thanë për TVM2 se është marrë në pyetje edhe organizatori i protestës B. A..
 
VISAR SADIKI