KH: Maqedonia ende ka probleme me respektimin e të drejtave të njeriut
Komiteti i Helsinkit në Shkup, me rastin 10 dhjetorit–“Ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, vlerëson se Maqedonia ka ende probleme me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut....

Komiteti, në një deklaratë për mediat, thekson se këtë vit ka vazhduar politizimi i të gjitha segmenteve të jetës shoqërore, si ngecja e demokracisë parlamentare dhe imponimi i qëndrimeve të shumicës, në kundërshtim me vullnetin e pakicës dhe në dëm të lirisë dhe individualitetit.
“Ndasitë në baza partiake, etnike dhe fetare shkaktuan erozion të dialogut social. Sundimi i drejtësisë selektive, në vend të së drejtës dhe shtetit juridik, rrezikoi mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut garantuar me kushtetutë. Komiteti i Helsinkit është veçanërisht i shqetësuar për keqësimin e marrëdhënieve ndëretnike, kufizimin e informimit publik dhe të mendimit të lirë, mosmenaxhimin e fjalorit dhe krimit të urrejtjes, si dhe për mungesën e funksionalitetit të mekanizmave për mbrojtjen nga diskriminimi”, thuhet në deklaratën e Komitetit të Helsinkit.
