Botë
Mori besimin qeveria “Rama 3”, Rama: Reforma zgjedhore, me ose pa opozitën
17.09.2021 18:43
Edi Rama ka marrë votëbesimin e parlamentit për të nisur punën me mandatin e tretë qeverisës....

Edi Rama ka marrë votëbesimin e parlamentit për të nisur punën me mandatin e tretë qeverisës. Me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim është miratuar programi i tij qeverisës.
Në fund të seancës maratonë për programin qeverisës Kryeministri Edi Rama u ndal tek reforma territoriale. Ishte i prerë kryeministri kur tha nga foltorja se për këtë reformë nëse nuk do kenë disponimin e opozitës për të përplasur argumentet, ato do të zbresin në terren me popullin.
“Ato që janë të parealizueshme me opozitën, do i ndjekim me popullin, që të zbresim në popull për reformën territoriale apo zgjedhore, por nëse duan që të kemi diskutim dhe nëse duan që ta synojnë realizimin e këtyre synimeve duhet të flasim, dhe jo të bëjmë gabimin që i kanë lënë gjërat në fund. Ta diskutojmë reformën territoriale, ne kemi qëndrim të kundërt, mendojmë se duhet të ketë më pak bashki, opozita mendon se duhet të ketë më shumë. Lë të flasim me argumente, dhe ndoshta ata binden me ne, ose ata na bindin ne.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Votimin e qeverisë së re, kryetari demokrat, Lulzim Basha, e cilëson si fatkeqësinë më të madhe për çdo shqiptar.
“Qëllimi i kësaj PPP-je, i kësaj pakice, plaçkitësish është të pasurojnë veten e tyre të mbajnë pushtetin në kurriz të kostove të familjeve shqiptare. Qëllimi ynë të bëjmë gjithçka për t’i larguar këta armiq të demokracisë nga salla e parlamentit e për ti kthye shqiptarëve demokracinë parlamentin e qeverisjen e vullnetit të tyre të lirë.”,- theksoi kryetari i PD-së – Shqipëri, Lulzim Basha.
Seanca plenare e votimit të qeverisë së re ka zgjatur rreth 20 orë dhe përmes debatesh e ndërprerjesh të shumta mes opozitës dhe mazhorancës.
LULJETA NDOKA
