Shpërthime afër stacionit policor në Tetovë dhe Kumanovë

10.12.2014 13:18

Në afërsi të stacioneve policore në Tetovë dhe Kumanovë janë dëgjuar mbrëmë dy shpërthime.......

Mediat kanë njoftuar për sulme me bomba ndaj stacioneve policore, por Ministria e Punëve të Brendshme për mediat maqedonase ka sqaruar se janë dëgjuar shpërthime në afërsi të stacioneve policore, por përgënjeshtrohen lajmet se stacionet policore kanë qenë cak i sulmeve.

Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, ka thënë se “Janë dëgjuar detonime në afërsi. Nuk janë regjistruar dëme. Derisa po kryhen ekspertizat, nuk mund të jap asnjë informacion plotësues”.

Edhe zëdhënësi i SPB-së në Tetovë, Marjan Josifovski, ka deklaruar se mbrëmë rreth orës 21 ka pasur detonime në afërsi të rrethojës së stacionit policor në Tetovë,  por nuk ka konfirmuar nëse bëhet fjalë për bombë. Josifovski, ka thënë se policët, të cilët kanë qenë në stacionin policor dhe përreth tij, kanë dalë menjëherë, por nuk kanë arritur të shohin dikë.

Në vendin e detonimit është kryer menjëherë hetim nga ekipi i SPB-së në Tetovë dhe njësiti për antiterror i MPB-së, që të konstatohet se çka e ka shkaktuar detonimin. Më pas, në hetim është përfshirë edhe prokuroria publike.

MPB, gjatë ditës pritet të dalë me detaje shtesë rreth këtyre detonimeve.