Roma e City në ‘Olimpicon’ e zjarrtë kërkojnë kualifikimin
Grupi më i komplikuar i Champions League-s për ditën e sotme është ai “E” ku Bayern Munchen është kualifikuar prej shumë kohësh, ndërkaq tre skuadrat e tjera Roma, Manchester City dhe CSKA e Moskës shpresojnë ende për të kaluar këtë fazë...

Gjithçka është e qartë dhe ekipi i Rudi Garcias për momentin kontrollon situatën, pasi nëse verdhekuqtë fitojnë në "Olimpico" ndaj Manchester City-t çdo gjë tjetër zhvleftësohet dhe kryeqytetasit do t’i bashkohen Juventusit duke bërë që Italia të ketë 2 skuadra të kualifikuara në fazën e 1/8. Në këtë grup, Bayern Munich ka siguruar kualifikimin pasi që ka tubuar 15 pikë.
Në Grupin F, tashmë gjerat janë të qarta. PSG më 13 pikë të tubuara, dhe Barcelona më 12 pikë që kanë siguruar kualifikimin në rrethin tjetër të garave, do të ndeshen në ‘Camp Nou’ në sfidën për vendin e parë.
Ndërkaq, në Grupin G, Chelsea, e cila ka siguruar ‘vizën’ në rrethin tjetër të garave, në ‘Stamford Bridge’ do të pres Sportingun, kjo e fundit akoma nuk e ka siguruar kualifikimin, dhe në duel me skuadrën e Jose Mourinhos do të kërkojë rezultat të favorshëm, sepse ‘kiksi’ i mundshëm në duel me londinezët, do t’i jep rast Schalkes për tu kualifikuar në rast të fitores kundër Mariborit.
Edhe në Grupin H, dihen skuadrat kualifikuese. Në ndeshjen kryesor të këtij grupi do të ndeshen Porto dhe Shakhtar që kanë siguruar pjesëmarrje në mesin e 16-të skuadrave më të mira, ndërsa në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Athletico Bilbao do të kërkojë fitore në duel me BATE Borisov për të siguruar një vend që çon në Europa League.
