Maqedoni
OEMV: Kompanitë kanë mungesë kuadri profesional
20.09.2021 14:16
Mungesa e kuadrit profesional është një nga problemet më të mëdha me të cilën përballen kompanitë...

Mungesa e kuadrit profesional është një nga problemet më të mëdha me të cilën përballen kompanitë, andaj investimi në resurset njerëzore është i domosdoshëm, vlerësojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut. Sa më shumë që bizneset investojnë në punëtorët e tyre, aq më produktiv do të jenë të punësuarit dhe kompanitë do të realizojnë të hyra më të mëdha, thonë ekspertët. Për këtë qëllim, OEMV në partneritet me ambasadën e Zvicrës do të organizojë program për zhvillimin e të punësuarve të rinj.
“Paga është një motivues, por, për të kënaqur nevojat e punëtorit ka shumë faktorë. Sa më shumë përpiqemi të krijojmë kushte më të mira pune, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Bizneset mund të bëjnë më shumë dhe të përfitojnë nga ajo që ofrohet përmes programeve të tilla për të vazhduar me trendet globale.”,- deklaroi konsulenti për resurse njerëzore, Natasha Ivanovska.
“Kompanitë e suksesshme e dinë se të punësuarit janë kapitali më i madh dhe se duhet vazhdimisht të investohet në zhvillimin e tyre. Është shumë e rëndësishme që kompanitë të bëjnë një hap para dhe të kyçen në zhvillimin e aftësive të të rinjve, derisa ato janë ende në procesin arsimor.”,- tha Aneta Damjanovksa nga Oficer Programor - Ambasada e Zvicrës.
Programi përmban disa aktivitete. Fillon me një analizë të nevojave të secilës kompani, pastaj do të ketë program trajnues për pozicionet kryesore. Është planifikuar gjithashtu të zhvillohet një doracak për resurset njerëzore dhe lidhjen me universitetet për të tërhequr praktikantë.
ERSAN PAJAZITI
