Vazhdon bojkoti në “Arseni Jovkov”

10.12.2014 14:23

Vazhdon bojkoti në shkollën e mesme ekonomike “Arseni Jovkov” Shkup....

Nxënësit e paraleleve të gjuhës shqipe në këtë shkollë,  sot nuk e ndoqën mësimin në tërësi. Edhe pse të reduktuar, ata bojkotuan mësimin vetëm nga një orë dhe treguan revoltën e tyre për padrejtësitë që u bëhet në “Arseni Jovkov” lidhur me mbingarkesën e paraleleve shqiptare dhe moslejimin të krijohen klasa të tjera shqiptare  në vitin e parë.

Ata edhe sot kërkuan dorëheqjen e  drejtoreshës së shkollës, Jovanka Asprovska  dhe kërkuan të emërohet një drejtor shqiptar.

“Ne e kemi marrë lajmin nga ish-zëvendësdrejtori, i cili bëri një mbledhje të kryetarëve të klasave dhe në paralajmëroi se do të  bëjmë bojkot çdo ditë, vetëm në orën e katërt, me qëllim që të mos i humbim orët e mësimit. Nga ana e drejtoreshës, dje, pasi që është mbajtur një mbledhje, ishte dhënë një lajm për ne, se ditët ose orët, të cilat do t’i humbim, do t’i kompensojmë ato  në ditët e vikendit”- deklaroi një nxënës. 

“Momentalisht jemi 37 nxënës, por kemi qenë 40, por për shkak të largimit të tre nxënësve kemi mbetur 37.  Tek ne nuk mund të zhvillohet mësimi ashtu siç zhvillohet tek maqedonasit”- tha një nxënës.

“Të gjithë nxënësit kemi problem me këtë gjë edhe përgjegjësi i shkollës është bashkë me ne”- theksoi një nxënës.

“Kjo padrejtësi që ne na bëhet, nuk duhet ta pranojmë, sepse nëse e shohim me drejtësi, nxënësit shqiptarë në këtë shkollë janë me shumicë, ndërsa me paralele maqedonasit janë më shumë. Është e drejta jonë të bojkotojmë, si dhe drejtësia të vijë në vend, si për shembull të rregullohet puna e mësimit me 40 nxënës në klasë”- u shpreh një nxënëse.

Drejtoresha e shkollës në fjalë, Jovanka Asprovska edhe sot vendosi të mos përgjigjet para objektivit të kamerës sonë. Nuk ka informata lidhur me qëndrimin e saj për kërkesat e nxënësve. Por, lëvizje ka, përgjegjësi i ri për paralelet shqipe në “Arseni Jovkov”, Arben Krivanjeva, i emëruar nga drejtoresha, Jovanka Asprovska, ka refuzuar postin pas protestave dhe bojkotit të mësimit  nga nxënësit shqiptarë.

Bojkoti, i cili filloi dje, përkrahet edhe nga Këshilli i Prindërve dhe nga të gjithë profesorët shqiptarë në këtë shkollë.

Siç informojnë nxënësit, protestat e nxënësve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri në plotësimin e kërkesave të  parashtruara. (Rexhep Qamili, TVM2)