Zbatimi i reciprocitetit, targa të përkohshme për veturat nga Serbia, Kurti: Targat nuk janë dëshirë, por imponim
Qeveria e Kosovës, nisi respektimin e reciprocitetit....

Qeveria e Kosovës, nisi respektimin e reciprocitetit ndaj Serbisë. Makinat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë-kalimet kufitare të Kosovës.
“Ka dhjete vjet që qytetarët tanë paguajnë për tabelat. Ne nuk i duam as këto as këto- po derisa janë të parat, do mbeten edhe të dytat.”,- tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Rakiq: Dialogu nuk është tavolinë suedeze
Pajisja me këto targa bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit. Dhjetëra qytetarë serbë kanë ndaluar kamionët në formë proteste kundër rregullit të ri. Zonat e bllokuara janë Zubin Potok, Leposaviç dhe Gazivodë, të cilat të çojnë drejt kufirit.
“Bisedimet nuk janë tavolinë suedeze të marrësh atë çka të pëlqen. Ky nuk është aksion. Ky është reaksion. Populli është i frikësuar. Kam tentuar të flas me Lajçak por s’kemi marrë përgjigje. Jemi në kontakt me Beogradin.”,- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Reagon Bashkimi Europian, thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i ulin tensionet
Bashkimi Europian u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i ulin tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme.
“Jemi duke vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj se liria e lëvizjës është një kusht themelor i BE-së dhe presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe të reduktojnë tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë . Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.”,- tha zëdhënësi i BE-së për politikë dhe siguri të jashtme, Peter Stano.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për nesër në orën 10 të mëngjesit, në të cilën tema kryesore do të jenë ngjarjet në Kosovë. (Sedat Selimi, TVM2)
