Maqedoni
Zjarri në spitalin modular, Zaev: Presim raportet nga hetimet
20.09.2021 17:49
Raporti i ekspertëve gjerman që hetojnë shkaqet për shpërthimin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë...

Raporti i ekspertëve gjerman që hetojnë shkaqet për shpërthimin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë do të jetë gati pas 10 ose 15 ditësh, ndërsa raportet e organeve tona kompetente edhe më herët.
Këto janë pritjet e kryeministrit, Zoran Zaev, i pyetur se kur opinioni do të mund të mësojë të vërtetën për fatkeqësinë në këtë spital. Tha se nuk dëshiron të përshpejtojë askënd, por theksoi nevojën imediate për t’i dhënë sa më parë përgjigje qytetarëve.
“Ndoshta nuk do t'i pranoj dhe ndoshta do t'i pranoj dorëheqjet. Jo vetëm sepse po pres përgjigjet për të dhënë mendimin tim për katër dorëheqjet, por më e rëndësishmja është se qytetarët po kërkojnë përgjigje për pyetjet se çfarë kanë ndodhur në të vërtetë, cilat janë shkaqet e zjarrit apo të ngjashme. Nëse më pyesni mua si kryeministër unë pres që raportet të publikohen deri në fund të kësaj jave,mirëpo a do të ndodh kështu, për këtë do të vendos prokurori publik..",- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Pranimi i dorëheqjeve, Zaev: Sistemi duhet menaxhuar në kohë pandemie
Duket qartë se përgjigje më e vështirë për Zaev do të jetë nëse do t’i pranojë ose jo katër dorëheqjet e dorëzuara dhe nëse po kur? I pyetur përse i pret raportet e ekspertëve për t’i aprovuar këto dorëheqje? Zaev tha se në bazë të më shumë elementeve do të vendosë nëse do ti largojë nga institucionet shëndetësore, por njëkohësisht pranoi se zëvendësimi eventual i vendeve të tyre do të jetë shumë i vështirë pasi që jemi në mes të pandemisë.
“Kur merrni një vendim të bazuar në një akt, etik ose moral ju duhet të mendoni për atë se çfarë pas kësaj, sa është thelbi fajit të tyre, duhet menduar se sa me sukses ata njerëz kanë punuar në të kaluarën dhe në bazë të këtyre elementeve do të jap qëndrimin tim. Unë gjithashtu mendoj edhe për përgjegjësinë time për të ardhmen, mendoj se nëse i pranojë dorëheqjet si do të vazhdojmë më tej, se kush dhe si do ta menaxhojë sistemin shëndetësor sepse pandemia vazhdon, ndërsa ky sistem është gjithashtu i rëndësishëm për të gjithë...",- tha Zaev.
Zaev tha se opinioni nuk duhet të ketë hamendje nëse spitalet modulare ishin ose jo të nevojshme për tu përballur me pandeminë. Rikujtoi se mos ishin spitalet modulare nuk do të mundeshin të hospitalizon mijëra pacientë të infektuar.
Në ndërkohë Prokuroria për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit shqyrton dokumentacionin e tenderimit publik të cilët duhet dhënë përgjigje nëse spitalet modulare ishin ose jo të ndërtuara në përputhje të specifikave teknike që i kërkonte Banka Botërore dhe të tregojë se kush ka dhënë pajtim për lëshimin e tyre nëse të njëjtat kishin mangësi.
REXHEP QAMILI
