Maqedoni
Lejimi i familjarëve në repartet Covid, ISSh kontrollon spitalet, nuk vërehen shkelje
20.09.2021 18:04
Më pak se dy javë pas tragjedisë në Tetovë dhe informacionit se pothuajse çdo pacient në dhomë...

Më pak se dy javë pas tragjedisë në Tetovë dhe informacionit se pothuajse çdo pacient në dhomë kishte një familjar që kujdesej për të, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor më në fund bëri një kontroll të imtësishëm të të gjitha spitaleve Kovid.
E sigurisht që inspektimi përfundoi pa asnjë vërejtje. Në të gjitha spitalet modulare tashmë në vend të dukshme potencohet se vizitat janë të ndaluara dhe në momentin e mbikëqyrjes nuk u vërejt prania e të huajve.
“Inspektime të jashtëzakonshme janë kryer në Klinikën për Sëmundjet Infektive, Klinikën Pediatrike dhe atë për pulmologji në Shkup, në spitalet në Shtip, Manastir, Koçan, Strumicë, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Gjevgjeli, Strugë, Ohër, Kavadar, Veles, Kërçovë dhe Dibër, si dhe në Qendrën Shëndetësore në Resnjë.”,- njoftojnë nga Inspektorati.
VMRO-DPMNE: A u anashkaluan vërejtjet e ekspertëve?
Inspektorët gjithashtu kontrolluan kushtet higjienike në të 18 objektet, as në këtë pjesë nuk u vërejtën lëshime. VMRO-DPMNE kërkon ndërkohë përgjigje nëse janë anashkaluar vërejtjet e ekspertëve në lidhje me panelet PUR.
“A është e vërtetë që në takimin ku u diskutuan spitalet modulare, ju paralajmëruat nga një ekspert se panelet PUR nuk duhet të instalohen në spitalet modulare dhe nëse po, çfarë keni bërë? A ka ministri Venko Filipçe ose ekipi i tij ndonjë informacion nëse spitali modular ishte i lidhur me rrjetin e shpërndarjes në një procedurë standarde dhe normale apo dikush i lejoi vetes të bëjë lidhjen nga spitali ekzistues jashtë procedurës dhe pa një projekt adekuat?.”,- tha Dragan KOVAÇKI nga VMRO-DPMNE.
VMRO potencon se nëse hetimi do ishte vërtetë i pavarur, përgjegjësia do të binte direkt mbi ministrin e shëndetësisë dhe kryeministrin, por aktualisht sipas opozitës, të dy janë në pozicione nga të cilat mund të ndikojnë dhe kontrollojnë hetimin dhe prandaj duhet të largohen menjëherë.
MERITA GASHI
