Raporti mbi torturat e CIA-s, të penalizohen zyrtarët

10.12.2014 14:28

Raporti i Senatit amerikan mbi metodat e marrjes në pyetje nga CIA, ka shkaktuar reagime të menjëhershme....

Për raportuesin e posaçëm të antiterrorizmit në OKB, Ben Emmerson, nuk ka dyshime se e gjithë kjo ka qenë një politikë e qartë, e orkestruar në nivele të larta të shtetit.

“Zyrtarët e lartë të administratës Bush, që planifikuan e lejuan këto krime, duhen të ndiqen penalisht, ashtu si dhe zyrtarët e CIA-s, përgjegjës për tortura të tilla, si simulimi i mbytjes me ujë”- deklaroi përfaqësuesi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Antiterrorizmin, Ben Emmerson.

Nga “Human Rights Watch” thonë se për veprimet e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës nuk mund të ketë kurrë asnjë justifikim.

Por, nëse ky proces i rëndësishëm i nxjerrjes në dritë të së vërtetës nuk çon në gjykimin e zyrtarëve të përfshirë, atëherë tortura do të mbetet një “opsion politikash” edhe për presidentët e ardhshëm.

Në përmbledhjen më shumë se 600 faqëshe gjenden përgjigje dramatike të pyetjeve: Sa brutale ishin metodat e marrjes në pyetje nga CIA pas 11 shtatorit 2001? Çfarë dinte ish-presidenti Bush? A e ka gënjyer CIA sistematikisht atë dhe administratën e tij? A ka zbuluar agjencia gjëra të rëndësishme prej marrjes së dhunshme në pyetje? Raporti dokumenton burgimin e fshehtë jashtë vendit të të paktën 119 individëve dhe përdorimin e teknikave detyruese të marrjes në pyetje, të cilat në disa raste shkojnë deri në torturë.

LEUNORA KALIQI