Maqedoni

Anketa e "Brima"-s, përplasje mes partive rreth sondazhit

20.09.2021 18:42

Anketa e fundit e realizuar nga “Brima” ka përplasur LSDM dhe VMRO-DPMNE–në...

Sipas partisë në pushtet, anketa flet qartë për mbështetjen që LSDM ka tek qytetarët.  
 
“Për herë të parë, që prej se Brima realizon barometrin e vet politik, përkatësisht nga viti 2005, VMRO- DPMNE ka rezultatin më të dobët në këto anketa. Kjo vërteton se qytetarët janë fuqishëm kundër destrukcioneve, lajmeve te rreme dhe bllokadave të Mickovskit dhe VMRO- DPMNE-së.”,- tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
VMRO-DPMNE THOTË SE  anketa është realizuar nga sociologu bullgar Andrej Rajçev me porosi të Zoran Zaevit. 
 
“Agjencia "Brima" DOO nga Shkupi nuk është agjencia "Brima Gallup" me famë botërore, por një kompani nga Maqedonia, e themeluar nga sociologu bullgar Rajçev, dhe e cila kryen sondazhe të vazhdueshme të porositur nga Zoran Zaev, dhe përmes mediave pranë qeverisë. Zoran Zaev, i përballur me një përçarje të plotë dhe refuzimin e organizatave partiake për të pranuar kandidatët për kryetarë të komunave të Zoranit dhe Vices, patjetër të bëjë sondazhe në të cilat ai do të paraqitet si fitues.”,- thonë nga VMRO-DPMNE. 
 
BELINDA KOKA ADEMI