Java e 6 nis me derbin e vogël madrilen, Atletico gati të rimarrë kreun

21.09.2021 11:56

Primera Division mbylli javën e pestë me ndeshjen Barcelona – Granada në “Camp Nou”...

Primera Division mbylli javën e pestë me ndeshjen Barcelona – Granada në “Camp Nou”, megjithatë kohë për të pushuar për futbollistët nuk ka në një periudhë të tillë të ngjeshur dhe lojtarët në kampionatin spanjoll do të kthehen menjëherë në fushë, për javën e gjashtë të kampionatit, që hapet me derbin madrilen Getafe – Atletico.
 
Kampionët në fuqi udhëhiqnin klasifikimin e përgjithshëm bashkë me Realin e Madridit dhe Valencian, por bardhekuqtë nuk shkuan dot përtej barazimit në shtëpi me Athletic Bilbao-n, ndërsa skuadra merengues fitoi duelin e ndezur në “Mestalla”, duke përmbysur pikërisht në çastet e fundit Valencian, në kryendeshjen e javës së pestë.
 
Mungesa e rezultateve ka sjellë gjithashtu edhe nervozizëm, gjë që u vu re qartë edhe në duelin me Bilbaon, ku Joao Felix ndonëse kishte të drejtë për ndërhyrjen e gabuar në dëm të tij reagoi keq ndaj kryesorit Gil Manzano, i cili pa hezituar aspak i nxori me shpejtësinë e dritës dy kartona futbollistit luzitan dhe për pasojë skuadra “rojiblanco” e mbylli takimin në inferioritet numerik. Villarreal, Porto dhe Bilbao. Tani shkon në tre numri i barazimeve rresht në Stadiumin “Wanda Metropolitano” për kampionët në fuqi, gjë që ndodh për herë të parë në këtë shekull për vendasit në shtëpi, në sfidat kompetitive, por mbi të gjitha edhe dy ndeshje radhazi pa gjetur rrugën e rrjetës për skuadrën e Simeones.
 
Në sfidat me Villarreal-in dhe Espanyol-in Atletico e Madridit ia doli që të shpëtojë vetëm në fund, respektivisht në minutat 95′ dhe 99′ të këtyre takimeve. Në krahun tjetër Getafe e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme edicionin e sivjetshëm të Primera Division. Ky është pikërisht starti më i dobët për “azulones” në elitën e futbollit spanjoll, e me një ecuri të tillë blutë kanë rrëshqitur drejt e në vendin e parafundit, me 5 humbje në 5 ndeshjet e para të ligës, me vetëm 1 gol të shënuar dhe 8 të pësuar.
 
Atletico ka fituar 6 dhe barazuar 3 në 9 përballjet e fundit në fushën e Getafe-s, por mbi të gjitha blutë në këto 9 takime nuk kanë arritur të shënojnë qoftë edhe një gol të vetëm në portën e “los colchoneros”. Derbi Getafe – Atletico Madrid do të mbahet në orën 19:30 në “Coliseum Alfonso Perez” dhe do të drejtohet nga kryesori Guillermo Cuadra Fernandez.