Tetovë, asnjë viktimë nga Covid-19

21.09.2021 15:00

Po qetësohet ndjeshëm situata Covid në Tetovë...

Po qetësohet ndjeshëm situata Covid në Tetovë, qytet ky që deri pak javë më parë kishte shifra të larta infektimesh dhe fatalitetesh. Për fat të mirë atje në 24 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë. Janë 25 të hospitalizuar në 24 orët e fundit prej të cilëve një pacient ka qenë i vaksinuar me një dozë të vaksinës, e një tjetër me dy doza. 25 pacientë janë me terapi oksigjeni. Edhe në qytetet e tjera presioni mbi spitalet është ulur, ashtu siç po ulen shifrat e infektimeve të reja.

Ministria e Shëndetësisë: Dje janë vaksinuar 12.062 qytetarë

Mjekët apelojnë se vaksinimi është e vetmja mënyrë për uljen e shifrave të infektimeve. Vetëm të hënën janë vaksinuar 12.062 qytetarë e me ta numri i përgjithshëm i të vaksinuarve që nga fillimi i procesit të imunizimit, shkoi në 774.442, prej tyre 690.806 me të dyja dozat e  vaksinës.

Aktualisht në vend, 55% e popullatës mbi 40 vjeç dhe 31% e grupmoshës mbi 18–39 vjeç ka marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Kjo shton nevojën për apele tek të rinjtë që të vaksinohen, pasi shifrat tregojnë se ata janë më pak të interesuarit për imunizim.

Aktualisht procesi i vaksinimit bëhet pa caktim paraprak të terminit. Vetëm për fëmijët nga 12 deri 18 vjeç, duhet pëlqimi i prindit.

Nga Ministria e Shëndetësisë ripërsërisin se vaksinat  janë të sigurta dhe efikase. “Vetëm me vaksinimin të tërësishëm parandalohet forma e rëndë e sëmundjes dhe zvogëlohen gjasat që infektimet të përfundojnë me fatalitet” – thonë nga ministria e resorit. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)