Regjistrimi i popullsisë, 1.132.484 të regjistruar në vend, 193.742 në diasporë

21.09.2021 15:14

Vazhdon të jetë i lartë interesimi i qytetarëve....

Vazhdon të jetë i lartë interesimi i qytetarëve për t’u regjistruar . Sipas të dhënave të fundit  nga Enti Shtetëror i Statistikave,  deri më tani janë regjistruar 1.132.484 qytetarë, 353.256 shtëpi dhe 480.364 banesa.

Në procesin e vetëregjistrimit të diasporë, aktualisht janë vetëregjistruar 193.742 persona. 

Mërgimtarët mund të regjistrohen edhe në vend,  nga ndonjë anëtar i familjes që i ka të dhënat e duhura rreth tyre.

Nga ESHS disa herë kanë njoftuar se regjistrimi i diasporës, edhe në raste kur i njëjti person vetëregjistrohet apo regjistrohet nga të afërmit, nuk do të thotë dyfishim i të dhënave, pasi sistemi me automatizëm mban vetëm njërën nga të dhënat e regjistruara për atë person.

Ministri i punëve të jashtme Osmani edhe njëherë sqaroi se diaspora do të evidentohet në numrin e përgjithshëm të popullsisë së RMV-së.

“Ligji parasheh që do të ketë të evidentuar në fund gjatë prezantimit të rezultateve, popullatë rezidente, popullatë jorezidente dhe popullatë  e përgjithshme e cila do të jetë shumë e asaj popullate rezidente dhe jorezidente, që do të thotë se si numër diaspora do të përfshihet në numrin e përgjithshëm.”,- tha ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.

Një ditë më parë zëvendësdrejtori i ESHS-së, Ilmi Selami, tha se për shkak të hakerimit të sistemit për regjistrimin e diasporës, është mirë që mërgimtarët t’u dërgojnë të dhënat familjarëve për t’i regjistruar edhe këtu  nga të afërmit e tyre. Edhe vetëregjistrimi i diasporës zgjat deri në ditën e përfundimit të regjistrimit të banorëve rezidentë dhe banesave në RMV, pra deri në fund të shtatorit. (Ersan Pajaziti, TVM2)