Maqedoni
Zjarri në spitalin modular, hetimi vazhdon, PTHP nuk jep hollësi
21.09.2021 15:31
Vazhdon procedura parahetimore për zbardhjen e rastit të shpërthimit të zjarrit në spitalin modular në Tetovë.....
Vazhdon procedura parahetimore për zbardhjen e rastit të shpërthimit të zjarrit në spitalin modular në Tetovë. Nga Prokuroria Themelore Publike për TVM2 informojnë se hetimi po vazhdon, se është kërkuar material dhe dokumentacion i gjerë, janë dhënë një sërë urdhrash deri tek autoritetet kompetente dhe të njëjtave u janë kërkuan të dhëna tjera shtesë që do të mund përgjigjen pyetjes kryesore se pse u dogj spitali modular.
Përveç kësaj prokurorët janë duke i marrë në pyetje personat e punësuar në institucionet kompetente që kanë kryer procedurën e prokurorimit publik dhe që kanë vendosur spitalet modulare si dhe anëtarët e familjes së viktimave. Deri në këto momente prokuroria kaq mund të prononcohet. Nuk tregojnë e sa për numrin e personave që duhet të dëshmojnë rreth kësaj ngjarje, por thonë se ky numër do varet nga nevoja për të zbardhur plotësisht shkaqet e zjarrit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë eventuale.
Përgjegjësia për spitalin modular, përplasje mes Zaevit dhe Mickovskit
Pikërisht përgjegjësia për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, ka përplasur krerët e pozitës dhe opozitës. Në duelin e parë mes tyre në TV “Kanal 5”, kryeministri Zaev ripërsëriti se do të presë detajet e hetimit dhe më pas do të vendosë nëse do të pranojë dorëheqjet e ofruara nga ministri dhe zëvendësministri i Shëndetësisë.
“Dua t’i di të gjitha detajet e hetimit, i cili, i ndihmuar nga ekspertë nga Gjermania, duhet të na tregojë shkaqet e vërteta të tragjedisë. Bëhet fjalë për ministër dhe zëvendësministër, të cilët, në kushtet e Covid-19, kanë punuar shumë për përballjen me pandeminë.”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ripërsëritja e këtij arsyetimi nuk i pëlqeu kreut të VMRO-DPMNE-së.
“Nëse dikush në qeveri ka pak ndërgjegje, atëherë jo vetëm që nuk do të mendojë, por do t’i pranojë menjëherë dorëheqjet dhe kjo është gjëja e parë që duhet të bëjë. Dorëheqja nuk është një gjë banale, aty u shuan 14 jetë.”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
Përgjegjësia për spitalin modular, BDI: Përgjegjësi, pas përfundimit të hetimit
Edhe BDI-ja është e mendimit se për katër dorëheqjet e dorëzuara duhet pritur përfundimi i procedurës parahetimore dhe më pas të vendoset.
“Do të ishte mirë që të kompletohet e gjithë dosja edhe me përgjegjësinë objektive edhe me përgjegjësinë morale, etike apo politike. Mendojë se kështu do të ishte më mirë për zë gjithë sepse vetëm kështu do të mund të kemi reflektimin e duhur për atë që ka ndodhur dhe për të mund të ndërmarrim masa një gjë të tillë të mos na ndodh asnjëherë.”,- u shpreh Bujar Osmani nga BDI.
Teksa hetimet ende vazhdojnë edhe nga prokurorët vendas edhe nga ekspertët gjermanë, pushteti porosit që askush të mos e keqpërdorë tragjedinë, për përfitime politike.
REXHEP QAMILI
