Vetingu në MPJ, Osmani: Dy persona largohen nga vendi i punës
Dy persona në Ministrinë e Jashtme...

Dy persona në Ministrinë e Jashtme, nuk kalojnë vetingun. Ministri i këtij dikasteri, Bujar Osmani, duke shpalosur rezultatet e para, tha se këtyre dy personave do t’u ndërpritet marrëveshja e punës pasi që nuk kanë certifikatë sigurie.
“Një personi i është refuzuar kërkesa për dhënie të certifikatës së sigurisë gjatë kontrollit të statusit të tij të sigurisë, me çka ai nuk e kaloi filtrin e parë për veting. Këtij personi I kufizohet qasja deri tek të dhënat në ministri dhe është nisur edhe procedura për pushimin nga puna. Një person tjetër ka shfrytëzuar certifikatë joadekuate, dhe gjatë kërkesës që të sigurojë certifikatë adekuate ai është refuzuar. Edhe ky i punësuar nuk e kalon vetingun fillestar, dhe për të nis procedura për pushim nga puna.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Edhe gjashtë persona kanë lëshuar shansin që në kohë të aplikojnë për rinovim të certifikatave të sigurisë. Edhe atyre u është kufizuar qasja deri në Ministrinë e Jashtme.
“Atyre do t’u kufizohet qasja deri në ministri, por nuk janë refuzuar dhe kanë afat deri në shtatë ditë të kërkojnë certifikatë adekuate.”,- u shpreh Osmani.
Nga gjithsej 500 të punësuar, vetëm 116 me kohë kanë dorëzuar kërkesë për rinovim të certifikatave të sigurisë gjashtë muaj para skadimit të afatit.
Ministri Osmani njoftoi se dy personat në largim nuk janë pjesë e grupit të diplomatëve që armenia nëpërmjet Interpolit ngriti fletarrest ndërkombëtar, përfshi edhe diplomatin, Mile Milenkoski.
Ky i fundit akuzohet se gjatë 2018-ës ka ndihmuar arratisjen e vëllait të presidentit të Armenisë, ndaj të cilit janë realizuar hetime për fshehje të tatimit, pasurim të jashtëligjshëm dhe keqpërdorim të miliona eurove.
Për skandalin me tre diplomatët, ish ministri i jashtëm Dimitrov është shprehur se certifikatat e sigurisë nuk i jep Ministria e Jashtme, por shërbimet e sigurisë, të cilët janë kompetente edhe për të kontrolluar të njëjtat.
Nga Agjencia për Siguri Kombëtare ia hedhin fajin Drejtorisë për Informacione të Klasifikuara që s’ka kërkuar kontroll të certifikatës së sigurisë deri në ditën kur Milenkovski u arrestua nga autoritetet serbe. (Meral Ismaili, TVM2)
