Maqedoni
Zgjedhjet lokale - KShZ: Të infektuarit e të izoluarit të paraqiten në KKZ
21.09.2021 17:00
Personat të cilët ditën e zgjedhjeve do të jenë izolim shtëpiak, apo infektuar me Covid-19...

Personat të cilët ditën e zgjedhjeve do të jenë izolim shtëpiak, apo infektuar me Covid-19, do të votojnë sipas rregullave të veçanta për çka KShZ ka miratuar edhe udhëzimin në përputhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Ata do të duhet të paraqesin njoftim deri te Komisionet Komunale Zgjedhore, nëpërmjet personit të autorizuar apo në formë elektronike më së voni 5 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në mënyrë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit.
“Duhet që të paraqesin njoftim deri te Komisionet Komunale Zgjedhore. Njoftimi dorëzohet nëpërmjet personit të autorizuar apo në mënyrë elektronike deri te KKZ më së voni pesë ditë para ditës së caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve. Personi i autorizuar nëpërmjet të cilit dorëzohet njoftimi për këta persona duhet të jetë anëtarë i familjes së ngushtë, ndërsa ata që nuk kanë anëtarë të ngushtë të familjes mund të autorizojnë tjetër person.”,- tha nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Personi i autorizuar sipas udhëzimit të KShZ-së mund të paraqesë vetëm për dy persona njoftim deri te KKZ. Pas paraqitjes së njoftimit KKZ sipas detyrës zyrtare siguron të dhënat nga Inspektorati Shtetëror Sanitar për këta persona. Pas vërtetimit të të dhënave, këta persona do të vizitohen nga komisione të veçanta zgjedhore të shoqëruar me personel mjekësor.
Ndryshe, KShZ miratoi rregulloren me të cilën shtohet autorizimi i policisë gjatë pranim-dorëzimit të materialeve zgjedhore, si dhe formularët për sigurimin ruajtjen dhe distribuimin e materialeve. Me short KShZ gjithashtu përcaktoi edhe radhitjen në listën e vetme të kandidatëve për kryetarë dhe këshilltarë. Sipas paralajmërimeve të enjten do të nënshkruhet edhe Kodeksi etik.
NAIM RAMADANI
