Kulturë
35 vjet nga “Nobeli i Paqes” për Nënë Terezën
10.12.2014 16:25
“Dita ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, 10 dhjetori, është një datë e rëndësishme për shqiptarët...

Sot mbushen plot 35 vjet që kur humanistja shqiptare, Nënë Tereza, mori Çmimin “Nobël për Paqe”.
Për nder të shenjtores shqiptare, që u shndërrua në simbol të ndihmës për më të varfrit e botës, të cilëve ajo ua kushtoi gjithë jetën, në Shkup u mbajt një manifestim kulturor, ku i pranishëm ishte edhe biografi personal i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji.
“Ne si shqiptarë e kemi një trashëgimi kulturore dhe shpirtërore nëpërmes Nënës Terezë, sepse bota na njohi në thelbin e asaj çka vërtet ne jemi si popull iliro-shqiptarë, me një histori, traditë dhe kulturë shumëshekullore, me figura të mëdha për të cilat bota na ka lakmi. Nëpërmes Nënës Terezë, ne mund të realizojmë më së miri thënien “T’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, jetës, pajtimit, paqes dhe dashurisë””- deklaroi biografi personal i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji.
“Ne jemi gjithmonë krenarë edhe si shqiptarë, por edhe si shkupjanë. Në shumë raste, çdonjëri prej nesh mburremi kur përmendet Çmimi “Nobël”, që akullin e theu pikërisht shkupjania, Nënë Tereza, e theu për ta pasur Ferid Murati dhe urojmë që t’i kemi sa më shumë shqiptarë që do të marrin çmimin më prestigjioz botëror dhe meqë krenohemi dhe lavdërohemi, detyrimi ynë mbetet që edhe t’i përkujtojmë në përvjetore të këtilla”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Me marrjen e Çmimit “Nobel”, u vulos virtyti i shqiptarëve që ka qenë ndër shekuj, por bota nuk e ka njohur. Ne po mundohemi me të gjitha mundësitë që t’i dalim borxh Nënë Terezës për aktivitetin e saj human, por edhe kombëtar, sepse ajo doli nga Shkupi dhe mes saj ne dëshmojmë për autoktoninë tonë iliro-shqiptare”- u shpreh drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani.
“Shenjtorja e të varfërve”, Nënë Tereza, ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997, në moshën 87 vjeçare, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën.
Pak para se të ndahej nga jeta, ajo kishte 4000 motra në 610 shtëpi misionare të përhapura në 123 vende të botës.
VALBON BEXHETI
