Reciprociteti, Vuçiq kërcënon Kosovën me masa

21.09.2021 19:53

Një ditë pas vendosjes së reciprocitetit....

Një ditë pas vendosjes së reciprocitetit në targat e makinave që hyjnë nga Serbia në Kosovë, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pasi mblodhi Këshillin e  Sigurisë , kërcënoi Kosovën se nëse nuk ndryshon vendimin, do të marrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

“Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa.”,- tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq megjithatë tha se Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe të “sigurisë së popullatës serbe në Kosovë”.

Tha se do të kërkojë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo dhe se kur do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ai ka biseduar edhe me  ambasadorët e vendeve perëndimore rreth një "zgjidhje kompromisi" por e ka refuzuar propozimin e ambasadorëve.

“Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është një kompromis, por një zgjidhje që do të poshtëronte Serbinë.”,- theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti: Reciprociteti me targat, varet nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi ndërkohë ambasadorët e vendeve të Quint-it. Kurti këmbëngul se reciprociteti do të zbatohet.

"Vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt. Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase. Ligji është zbatuar, është siguruar trajtimi i barabartë . Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë këto  lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia.",- ka thënë Kurti, duke shtuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare nga protestuesit serbë që bllokuan qarkullimin.

Potencoi se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk duhet  të shkelet. Kurti ka pasur edhe një bisedë telefonike  me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Zhosef Borrell, rreth kësaj çështjeje. BE dhe SHBA-të , një ditë më parë, ftuan të dyja vendet të ulin tensionet e të përqendrohen në dialog. (Gyltene Sinani, TVM2)