Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë, Selami: Diaspora rrezikohet nga sulmet kibernetike

22.09.2021 13:33

Procesi i regjistrimit të popullsisë nën sulme të vazhdueshme kibernetike....

Procesi i regjistrimit të popullsisë nën sulme të vazhdueshme kibernetike. Nënkryetari i Entit të Statistikës, Ilmi Selami, në “Argument” në TVM2 thotë se diaspora rrezikohet të mos regjistrohet tërësisht, pasi deri më tani, nga gjithsej 450 mijë mërgimtarë, as gjysma e tyre s’janë evidentuar. Selami fton mërgatën e paregjistruar t’ua dërgojnë të dhënat familjarëve që t’i regjistrojnë këtu në Maqedoni.  
 
“Jemi në sulme të vazhdueshme të hakerëve. Sot kemi bërë përforcimin e aplikacioneve dhe deri tani është duke funksionuar, mirëpo sërish them nuk i di ku i kanë kufijtë, ku I kanë limitet hakerët. Ne përforco ata sulmo dhe nuk e di deri ku mund të shkojnë, që të jemi të sigurt mos të mbetemi pa regjistruar, duke pasur parasysh se i kemi edhe 9 ditë për regjistrim, mos të rrezikojmë, le t’i dërgojmë të dhënat, po flas për ata të cilët nuk janë regjistruar ende, le t’i dërgojnë të dhënat familjarëve të tyre dhe ta bëjnë regjistrimin e tyre.”,- tha nënkryetari i Entit Shtetëror Të Statistikës, Ilmi Selami.
 
Regjistrimi i diasporës, Xhelili: Pjesa më e madhe s’do regjistrohet
 
Analisti politik, Zudi Xhelili, thotë se anëtarësimi i gjithë diasporës nga familjarët e tyre këtu, s’do të jetë ndoshta teknikisht e mundur, dhe sipas tij ata rrezikohen të mos regjistrohen. Fajtorë për situatën e krijuar, analisti, Faton Aliti, shikon partitë politike që kur pezulluan procesin dhe ndalën intensitetin e regjistrimit të diasporës.
 
“Dhe gjithë kjo unë jam i sigurt se do të ketë pasoja dhe ja pasojat do të jenë d.m.th. një pjesë shumë e madhe e diasporës për fat të keq nuk do të mund të regjistrohen dhe pasojat tjera nga terreni nëse ka ndonjë bojkot eventual.”,- tha analisti politik, Zudi Xhelili.
 
Aliti: Dështimi, përgjegjësi e partive politike
 
“Edhe kjo është meritë e krejt partive politike, sepse krejt u dakorduan të prolongohet. Njësoj sikur që ishin dakord për të bë apele për regjistrim dhe është meritë e të gjithëve bashkë, mendoj se edhe  dështimi duhet të jetë i përbashkët.”,- theksoi analisti politik, Faton Aliti.
 
Regjistrimi i rezidentëve po vijon pa ndërprerje. 17 ditë nga nisja e regjistrimit më 5 shtator janë regjistruar 1 milion e 212 mijë e 330 qytetarë.
 
MERAL ISMAILI