Botë

Kurti: Krerët e komunave të heqin pengesat në veri

22.09.2021 14:29

Tensionimi i situatës nuk është në interes të askujt, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Tensionimi i situatës nuk është në interes të askujt, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa mblodhi qeverinë për të diskutuar situatën e krijuar në pikën kufitare të Jarinjës. Kurti u bëri  thirrje kryetarëve të komunave  në veri,  që të zhbllokojnë rrugën. Ai e ka quajtur të drejt vendimin për targat e përkohshme, e se kjo garanton lëvizjen e lire të qytetarëve.
 
“Pengesat në rrugën që shpien në dy pikat kufitare janë duke u bërë me disa kamion që janë pronë e institucioneve komunale dhe kjo përbën shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike. Ftoj kryetarët e komunave në veri të Ibrit që t’i tërheqin automjetet e institucioneve komunale.”,- tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti: Vetëm Vuçiqit i interesojnë incidentet
 
Kurti thotë se i vetmi njeri që ka interes për incidente është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, Kosova është për bisedime e dialog, dhe se këtë ia kanë konfirmuar edhe Brukselit.
 
“Për incidente dhe eskalim nuk ka interes shteti i Kosovës dhe as qytetarët e vendit tonë, nuk kanë as Serbët në Kosovë, nuk ka  interes për destabilizim as Serbia. Duket që vetëm një individ ka interesim për incidente dhe eksese, k y individ është presidenti i Serbisë. Ne jemi për bisedime dhe dialog, ja kemi konfirmuar këtë gjë edhe Brukselit.”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Varhelyi: Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut
 
Rikthimin e dialogut e ka kërkuar edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, që kërkon njëkohësisht  të sigurohet liria e lëvizjes pa vonesë.
 
“Veprimet e njëanshme kurrë nuk janë zgjidhje. Ato çojnë vetëm në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen.”,- ka shkruar Varhelyi në Twitter.
 
Meta: Kosova dhe Serbia t’i tejkalojnë tensionet
 
Ka reaguar edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili fton palët të kapërcejnë tensionet, "të vijojnë dialogun dhe t’u përmbahen detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura me ndërmjetësim ndërkombëtar. Meta potencon se ruajtja e sovranitetit dhe e integritetit territorial të Kosovës është faktor kyç për konsolidimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe bazë e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë." 
 
GYLTENE SINANI