Maqedoni

Do të konfiskohet prona e jashtëligjshme, qeveria përgatit Ligjin për Origjinën e Pronës

22.09.2021 15:33

Kushdo që nuk do të jetë në gjendje të provojë origjinën e pronës me vlerë mbi 30 mijë euro, të blerë vitin e kaluar...

Kushdo që nuk do të jetë në gjendje të provojë origjinën e pronës me vlerë mbi 30 mijë euro, të blerë vitin e kaluar, do të konfiskohet. Qeveria përgatit draft versionin e Ligjit për Origjinën e Pronës, i cili fillimisht do t’i dërgohet Komisionit të Vendikut për mendim dhe më pas do të vihet para deputetëve për miratim. 
 
Zëvendëskryeministri, përgjegjës për luftimin e korrupsionit, Ljupço Nikolovski, njoftoi se ligji nuk do të zbatohet vetëm për zyrtarët, por për të gjithë qytetarët,  sepse zyrtarët, zakonisht, transferojnë pronën e fituar në mënyrë të paligjshme te njerëzit e tjerë dhe e kthejnë atë pas përfundimit të funksionit.
 
“Ligji për origjinën e pronës është diçka që po miratohet për herë të parë në vendin tonë dhe është i rëndësishëm për konfiskimin e pronës të fituar në formë të jashtëligjshme përkatësisht pronë e fituar pa sqarim dhe ka implikim mbi tatimet që do të hyjnë në buxhetin qendror.”,- tha zëvendëskryeministri, Ljupço Nikollovski.
 
Sipas Nikollovskit me këtë ligj evitohet ekonomia e zezë dhe evazioni fiskal dhe njëkohësisht do të ndikojë në rikthimin e besimit të humbur në institucione, në politikë dhe te zyrtarët shtetëror. Procedura do të jetë civile, e shpejtë, jo penale dhe do të ketë një prag të përshtatshëm, i cili në versionin fillestar është 30 mijë euro.
 
SHPËTIM NUREDINI