Maqedoni

Tragjedia në Tetovë, Zaev: S’pranoj dorëheqje para fundit të hetimit

22.09.2021 16:52

A do të ndryshojë mendjen kryeministri, Zoran Zaev, dhe të pranojë katër dorëheqjet e depozuara pa përfunduar...

A do të ndryshojë mendjen kryeministri, Zoran Zaev, dhe të pranojë katër dorëheqjet e depozuara pa përfunduar procedura parahetimore për tragjedinë në Tetovë?  Përgjigja vazhdon të jetë  kategorikisht jo. Zaev nuk do të nxitojë me vendimin përfundimtar derisa nuk i sheh në tavolinë informacionet nga hetimi në terren. Apelon për hetim të shpejtë pa lënë asnjë detaj pa hetuar. Kryeministri ndërkohë nuk dyshon se mund të ketë keqpërdorime në mjetet financiare të Bankës Botërore gjatë ndërtimit. 
 
“Do të qëndroj në qëndrimet e mia të thënë më herët, se në bazë të informacioneve nga hetimi do prononcohem rreth dorëheqjeve të depozuara të drejtorit të spitalit, drejtorit ekonomik, ministrit dhe zëvendësministrin e shëndetësisë. Aspak nuk dyshojë në keqpërdorim të mjeteve financiare të Bankës Botërore, por nuk do të komentoja më shumë sepse është duke u zhvilluar hetimin Ne jemi shumë falënderues që Banka Botërore na ndihmoi për të ngritur spitalet modulare.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Përgjegjësia për tragjedinë, vazhdojnë përplasjet mes pushtetit dhe opozitës
 
Nga foltorja e Kuvendit dhe pa kursyer njëri-tjetrin pozita dhe opozita vazhduan përplasjet e tyre rreth fajësisë dhe përgjegjësisë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë.  Duket qartë se asnjë prej tyre nuk dëshiron të pres përfundimin e hetimeve. Opozita në Kuvend kërkon komision anketues, mazhoranca thotë se nuk ka kushte për një gjë të tillë pa përfunduar hetimet në terren.
 
“Zoran Zaev publikisht pranoi se spitali modular në Tetovë është ndërtuar pa leje ndërtimi dhe pa statikatat e nevojshme, të cilat nevojiten për të gjitha objektet normale. Për ta bërë turpin dhe absurditetin edhe më të madh, Zoran Zaev krahasoi spitalin montues në Tetovë, me ndërtimin e tarracave dhe kafeneve verore.  Një deklaratë e tillë skandaloze e Zaevit është rrëfim i qartë me të cilin ai duhet të ishte thirrur tani në Prokurorinë Publike, sepse sipas asaj që ai tha, ka qenë vetëm çështje kohe kur do të ndodhte aksident me spitalin në Tetovë.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Veljanovski.
 
“Komisioni Anketues do të duhet të punojë në bazë të fakteve dhe argumenteve,  kur do t’i kemi ne të gjitha materialet e nevojshme për hetimet dhe masat e ndërmarra institucionale, sigurisht se edhe Kuvendi do të jetë i gatshëm të debatojë për këtë temë. Në këtë moment Kuvendi nuk mund të shndërrohet në organ hetues, gjykatë ose prokurori.”,- u shpreh deputetja e LSDM-së, Lolita Ristova.
 
Hetuesia ndërkohë vazhdon hetimin me marrjen në pyetje të personave që punonin në spital e të drejtuesve të spitalit modular. hetimi pritet të nxjerrë në pah lëshimet eventuale e pas tyre sigurisht të përcaktojë se kush do të mbajë përgjegjësi për zjarrin që mori jetën e 12 pacientëve dhe 2 familjarëve që kujdeseshin për ta ne spitalin modular në Tetovë.  
 
REXHEP QAMILI