Maqedoni

Studentët, “jo” provimit shtetëror

10.12.2014 17:40

“Stop për reformat e pabaza në arsim. Ne nuk do të dorëzohemi, kërkojmë autonominë e universiteteve”...

Këto ishin porositë e studentëve në marshin kundër zbatimit të provimit shtetëror. Tubimit të sotëm të studentëve iu bashkëngjitën edhe qytetarët. 
 
Studentët thonë se reformat do të jenë barrë jo vetëm për ta, por edhe për gjeneratat e reja dhe arsyetimet se meqë provimi nuk është për këtë brez studentësh, nuk mbajnë.
 
“Duhet të shqyrtohen akreditimet që u jepen fakulteteve dhe nëse nuk janë cilësore, të ndërpriten. Pasi që ministri deklaron se është sekret publik se gjithkund blihen diplomat, atëherë faji është i tyre, sepse ata duhet t’i shqyrtojnë vendimet që kanë miratuar, me dënim kolektiv nuk mund të bëhen ndryshime pozitive në arsim”- deklaroi Anastasija Petrevska nga Plenumi Studentor.
 
“Studentët janë forca, studentët kërkojnë drejtësi, studentët janë më të fortë se qeveria dhe se shteti”- tha një student. 
 
“Kemi informata se nga Tetova kanë ardhur studentë, sepse i kemi kontaktuar dhe jemi shumë të kënaqur”- theksoi një student.
 
“Reforma është banale dhe shumë absurde dhe ne transparent e kemi shënuar se ne nuk heshtim për të drejtat tona, ajo është edhe motoja jonë dhe nuk do të futen reforma banale, siç është testimi ekstern”- u shpreh një student. 
 
“Jemi mbledhur sepse nuk jemi të kënaqur me statusin tonë, se qeveria nuk na llogarit si pjesë, si strukturë e këtij shteti”- potencoi një qytetare.
 
Protestës së studentëve sot iu bashkëngjitën edhe disa profesorë. Ata kërkojnë debat më serioz rreth kësaj çështje.
 
“Çdo projekt serioz duhet të debatohet publikisht, të respektohet mendimi i studentëve dhe profesorëve. Ne nuk jemi këtu vetëm për të ligjëruar, por edhe për që japim vlerësimin tonë për të gjithë reformat që nuk i përgjigjen gjendjes reale në shtet”- deklaroi profesori universitar, Zoran Kitkanj.
 
Studentët i dorëzuan kërkesat e tyre në qeveri. Sipas tyre, nuk ekziston forcë që do t’i ndalojë.
 
Ata ripërsëritën se marshi nuk është i motivuar politikisht dhe në të marrin pjesë të gjithë studentët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe religjioze. 
 
“Kemi parashtruar vetëm ato kërkesa që kanë të bëjnë me propozim-ligjin, vetëm ato jemi në dispozicion t’i kërkojmë”- tha Mariglen Doko nga Plenumi Studentor “SHKM”.
 
Protesta e qetë e studentëve u monitorua nga afër nga forcat policore që kujdeseshin që ajo të mos eskalojë. 
 
Qeveria pritet të diskutojë në mbledhjen e radhës për këtë çështje dhe deri tani autoritetet nuk kanë pranuar të diskutojnë me studentët për një gjë që, sipas tyre, ende nuk është marrë vendim përfundimtar. 
 
FLUTURA LATIFI