Maqedoni

Të drejtat e shqiptarëve, Zaev: Regjistrimi nuk ndryshon ligjet në fuqi

22.09.2021 18:14

Regjistrimi ka si qëllim të dimë sa qytetarë ka në vend dhe sa jashtë tij...

Regjistrimi ka si  qëllim të dimë sa qytetarë ka në vend dhe sa jashtë tij, për të ndërtuar politikat ekonomike e sociale thotë kryeministri, Zoran Zaev. Thekson se edhe pas regjistrimit, ligji për përdorimin e gjuhëve, të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë, mbeten absolutisht i njëjta, e nuk mund të ndryshohen në varësi të numrit të përgjithshëm të rezidentëve dhe jorezidentëve të regjistruar.
 
“Ligji për përdorimin e gjuhëve, ligji për të drejtat e shqiptarëve dhe bashkësive më të vogla etnike, mbeten absolutisht të njëjtë dhe nuk ndryshohen assesi, varësisht nga numri i përgjithshëm i të regjistruarve, i rezidentëve dhe jorezidentëve. Këtu jemi pastër. Nuk ka procese retrograde. Kushtetuta është e qartë, ligjet janë të qartë dhe vazhdojnë të vlejnë.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Grubi: Regjistrimi i fuqizon shqiptarët
 
Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, thotë se regjistrimi do t’i fuqizojë shqiptarët.
 
“Jam shumë i bindur që nuk do të ketë asnjë pasojë ndaj të drejtave të Shqiptarëve nga rezultati i regjistrimit, përkundrazi do të fuqizohemi edhe më tepër.”,- theksoi zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
 
Aleanca për Shqiptarët: Të drejtat e shqiptarëve varen nga numrat
 
Por, Aleanca për Shqiptarët akuzon Zaevin dhe Grubin se ka kohë që kanë humbur kontaktin me realitetin.
 
“Të drejtat kolektive të shqiptarëve varen nga numrat dhe këtë e thotë Kushtetuta, ndërsa Zaev nuk është mbi aktin më të lartë juridik. Ndërkaq, Artan Grubi e ka dëshmuar tanimë se sa lehtë bëhen pazare në kurriz të shqiptarëve dhe ai më së paku ka të drejtë të flet për avancim të drejtash. Qeveria dhe Enti Shtetëror për Statistikë duhet urgjentisht të japin llogari se çfarë po ndodh me faqen dhe bazën e të dhënave të regjistrimit, çfarë dëmi kanë shkaktuar sulmuesit kibernetikë, a janë prekur të dhënat e diasporës dhe kush do të mbajë përgjegjësi për ndërhyrjet eventuale në shifra”,- thuhet në reagimin e ASh-së.
 
Vetëregjistrimi i diasporës po ecën me ritme të ulëta kohëve të fundit. 193 982 janë regjistruar deri mesditën e së mërkurës. Sipas ESH-së, kjo shifër nuk është as sa gjysma e pritjeve. Mendohet se në diasporë jetojnë rreth 450 mijë qytetarë të RMV-së.
 
GAZMEND REXHEPI