Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë, ESHS: Jemi në terren, do regjistrohet çdo familje

23.09.2021 14:12

Aktualisht në vend janë regjistruar 1.309.840 qytetarë, 405.266 amvisëri dhe 556.415 banesa...

Në diasporë janë vetëregjistruar 194.926 qytetarë. Nga Enti Shtetëror i Statistikës, u bëjnë apel qytetarëve për durim. Thonë se  regjistruesit janë në terren dhe do të vizitojnë çdo familje.
 
ESHS u apelon qytetarëve të kontrollojnë autorizimet e regjistruesve dhe të pranojnë në shtëpitë e tyre, vetëm ata që kanë autorizim zyrtar. Përkujtojnë edhe se të dhënat nga Regjistrimi janë vetëm për qëllime statistikore, askush nuk ka qasje në të dhënat personale, dhe i gjithë procesi i përpunimit do të jetë i automatizuar dhe pa asnjë subjektivizëm.
 
Sipas tyre, përgjigjet për të ashtuquajturat “Pyetje të ndjeshme”, që kanë të bëjnë me  përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhën amtare, janë ndjenja  personale të çdo qytetari dhe  në asnjë mënyrë regjistruesit (ose kushdo tjetër) nuk duhet të sugjerojnë përgjigje.
 
Regjistruesit vetëm regjistrojnë në sistem përgjigjet e  qytetarëve, e  çdo qytetar mund  të ndjekë procesin e regjistrimit dhe të shohë nëse  regjistruesi në aplikim fut të dhënat e sakta.
 
Nëse dikush bën presion mbi çfarëdo baze, qytetari ka të drejtë të raportojë rastin. Nga ESHS u bëjnë thirrje qytetarëve që  të mos i nënshtrohen provokimeve dhe presioneve eventuale dhe të japin lirshëm të dhënat që u kërkohen nga regjistruesit, ashtu si ata mendojnë.
 
Le ta përfundojmë këtë aktivitet që kemi pritur për të mirën e të gjithëve, sepse suksesi varet nga të gjithë ne!, apelojnë nga ESHS.
 
MERITA GASHI