Gjendja Covid në shkolla, Carovska: 0.01% deri në 0.03 % të infektuar
Gjendja me pandeminë Covid-19....

Gjendja me pandeminë Covid-19 në shkolla është stabile dhe me respektimin e masave shkollat do të jenë të sigurta. Kështu vlerëson Ministrja e Arsimit, Milla Carovska.
Shton se në nivel ditor numri i nxënësve të infektuar është prej 0.01 deri në 0.03 për qind nga gjithsej 240 mijë nxënës dhe kjo përqindje në nivel shtetëror është e ulët.
“Në nivel ditor numri i rasteve pozitive në nivel shtetëror është prej 0.01 deri në 0.03 varësisht nga dita, gjatë ditës së djeshme kishim 0.02 për qind, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve pozitive nga fillimi deri më sot nuk është më shumë se 0. 3 për qind.”,- tha ministrja e arsimit, Milla Carovska.
VMRO-DPMNE: Pandemia në shkolla po keqmenaxhohet
MASh menaxhon shumë dobët pandeminë me Kovid-19 akuzojnë nga VMRO-DPMNE duke shtuar se mungojnë informacione të sakta për numrin e të infektuarve në shkolla.
“Në vend se të përgjigjen dhe t’i sqarojnë opinionit, prindërve dhe të gjitha palëve të përfshira për këtë problematikë ata me këmbëngulje na bindin se gjendja është nën kontroll, se me sukses po kalohet pandemia dhe fëmijët kanë kushte të shkëlqyeshme për mësim. Ftojmë LSDM-në dhe Carovskën t’i heqin syzet rozë dhe ta shohin të vërtetën me sy, sepse gjendja në teren krejtësisht ndryshon.”,- u shpreh Igor Zdravkovski nga VMRO-DPMNE.
Por, Carovska përsëriti sërish se sistemi arsimor është i përgatitur që nëse ka nevojë të kalojë edhe në skenarët e tjerë, mes të cilave është edhe mësimi online. (Flutura Rahimi, TVM2)
