Maqedoni
Ndahet çmimi “Zejtari i vitit 2014”
10.12.2014 17:44
Zejtarët, Faruk Shabani dhe Nikolla Petrov, morën sot mirënjohjen "Zejtari i vitit", që e ndan Oda e Zejtarëve dhe Ministria e Ekonomisë...

Zejtarët, Faruk Shabani dhe Nikolla Petrov, morën sot mirënjohjen "Zejtari i vitit", që e ndan Oda e Zejtarëve dhe Ministria e Ekonomisë, në kuadër të manifestimit të pestë me radhë "Ditët e zejtarisë”.
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, potencoi me këtë rast se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe zejtaria janë shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit.
“Më lejoni që t’iu sqaroj se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe zejtaria janë fuqia kryesore dhe lëvizëse e Republikës së Maqedonisë dhe çdo ekonomie të tregut, e cila gjeneron punësime dhe zhvillim ekonomik. Prandaj në dekadën e fundit është vepruar në mënyrë të vazhdueshme për krijimin e politikave të qeverisë, të orientuara kah përkrahja dhe përforcimi i këtyre sektorëve”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Rëndësinë e madhe që ka zejtaria, si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për ekonominë, e theksoi edhe zëvendësambasadori gjerman, Hans Helge Zander.
“Në Gjermani, zejtaria nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme paraqet ekonominë e suksesshme gjermane. Ndërsa krahasuar me Maqedoninë, kemi shumë aspekte të përbashkëta. Por edhe ndërmarrjet e vogla edhe ndërmarrjet e mesme përballen me mungesën e kuadrit të kualifikuar dhe të trajnuar”- tha zëvendësambasadori i Gjermanisë në Shkup, Hans Helge Zander.
Njëherit, u promovuan edhe mentorët e parë të certifikuar për trajnim praktik të nxënësve te punëdhënësit.
GYLTENE SINANI
