Doza e tretë e vaksinës, Filipçe: Nga e hëna, për tri kategori të caktuara
Doza e tretë e vaksinës, Filipçe: Nga e hëna, për tri kategori të caktuara...

Mbi 700,000 qytetarë janë vaksinuar me dy doza. Autoritetet shëndetësore rekomandojnë marrjen e dozës së tretë, për të gjithë qytetarët mbi moshën 60 vjeç, për pacientët me gjendje të kompromentuar imunitare dhe për të gjithë punonjësit shëndetësor pavarësisht moshës.
Ministri në dorëheqje i shëndetësisë Venko Filipce, thotë se për dozën e tretë për këto kategori qytetarësh, do të aplikohet vetëm vaksina Pfizer, pa marrë parasysh se cila ka qenë lloji i vaksinës në dy dozat e para dhe së paku 6 muaj pas dozës së dytë.
“Të gjithë qytetarët që kanë pranuar dozën e dytë, në momentin që do të kalojnë gjashtë muaj do të marrin mesazh se mund të lajmërohen dhe të marrin dozën e tretë të vaksinës, porosia do të lëshohet përmes SMS-së.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Infektimet në shkolla, Filipçe: Diskutohet aplikimi i testeve të antigjenit
Ditëve në vijim detajisht do të përpunohet edhe metodologjia për skrining të testimit të nxënësve nëpër shkollat fillore dhe të mesme me teste të shpejta antigjene.
“Është fakt se ekziston një transmetim i caktuar, shumë i vogël dhe ne duam të shfaqim gjendjen, sepse shumë shpesh fëmijët janë bartës asimptomatikë. Kjo qasje kërkon një përgatitje në lidhje me pëlqimin e prindërve.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Të Mërkurën në vend arritën mbi 100,000 vaksina të "Pfizer", të blera përmes mekanizmit Kovax. Për momentin vendi disponon me sasi të mjaftueshme vaksinash, rreth 250,000 të "Pfizer", 50,000 të "Sinovak" dhe rreth 100,000 të "Astra "Zeneka".
Edhe Danimarka pritet ta publikojë donacionin e 250.000 doza të vaksinave nga prodhuesi “Johnson&Johnson”. Kurba e të infektuarve rishtas aktualisht është e sheshtë dhe për disa ditë ka rreth 500 raste të reja në ditë. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
