Zgjedhjet lokale 2021, partitë zotohen për zgjedhje të drejta
Përfaqësuesit e partive politike.....

Përfaqësuesit e partive politike, përfshi edhe kandidatët e pavarur pjesëmarrës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, firmosën Kodeksin Etik për zgjedhje të drejta dhe demokratike.
Me nënshkrimin e kodeksit ata u zotuan për se do të respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, në mënyrë që të arrihen zgjedhje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme.
Kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski, theksoi se zgjedhjet dhe proceset e tjera politike janë kyçe për rritjen e zhvillimit demokratik të vendit.
“Për të arritur zgjedhje të vërteta demokratike, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut duhet të ushtrohen pa kufizime arbitrare ose të rrepta. Asnjë proces zgjedhor nuk është perfekt. Të gjithë kanë nevojë për përmirësime të vazhdueshme, por shkalla në të cilën proceset i plotësojnë këto standarde do të varet nga kredibiliteti i tyre.”,- deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Krahas zotimit për zgjedhje të drejta dhe demokratike gjatë procesit zgjedhorë nuk guxon të jetë pranishme gjuha e urrejtjes si dhe duhet të shmanget çdo lloj diskriminimi theksuan nga NDI të cilët organizuan aktin e firmosjes së kodeksit.
“Ky kodeks është me rëndësi të veçantë për barazinë gjinore në politikë pasi që përbën dëshmi për luftën kundër dhunës mbi gratë në politikë dhe ne jemi krenarë për këtë. Pas këtij hapi u mbetet partive politike që të luftojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit mbi gratë.”,- theksoi Robert Skot Hejzlet nga NDI.
Zgjedhjet vendore do të mbahen me 17 tetor ndërkaq fushata zyrtarisht fillon më 27 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor. (Naim Ramadani, TVM2)
