23 shtatori - Dita Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave
Fakti që natyra na fali me dëmtime në dëgjim jemi të kufizuar në jetë...

Komunikimi me duar na jep atë që ne nuk mund ta kemi. Në çdo institucion ku drejtohemi e kemi të vështirë,sepse ata nuk na kuptojnë çka duam e ne nuk i kuptojmë çka na thonë, theksoi Vlora Veliu. Shton që çdo ditë përballen me sfida prandaj do të dëshiron shoqëri ku ka më shumë persona që dinë t’i transmetojnë shenjat pasi që gjuha e shenjave duhet sa më shumë të mësohet dhe shfrytëzohet.
“Unë dal nga një familje në të cilën tre gjenerata janë të shurdhër, gjyshi, gjyshja, nëna, babai, unë dhe motra. Dhe kjo nuk është e lehtë, në të kundërtën, jetoni në një familje e cila nuk mund të ju përkrahë. Dhe për këtë them se të folurit me duar për ne do të thotë jetë.”,- tha personi me dëmtim në dëgjim, Vlora Veliu.
Sa ka shurdhmemec në vend dhe sa nga ata e shfrytëzojnë gjuhën e shenjave nuk dihet. OJQ-të presin nga regjistrimi të marrin numra të saktë.
“Për fat të keq shteti ynë nuk e rregullon çështjen e gjuhës së shenjave si gjuhë por është e vendosur në fushat apo në kuadër të beneficioneve sociale. Në shumë raste edhe me deputetët kemi biseduar se kjo është e drejtë shoqërore dhe politike.”,- tha Elena Koçovska nga Lëvizja Kundër Hendikepit “Polio Plus”.
Kjo kategori kërkon t’u mundësohet të jetojnë pa kufizime, ankohen për mungesën e interpretuesve të gjuhës së shenjave.
“Shteti ynë tash më 30 vite bën përpjekje por prapë se prapë mbetet një obligim serioz që të gjitha institucionet ta respektojnë konventën dhe të mundësojnë qasje të personave të shurdhër. Kur them qasje dua të them se kur një person shurdh dëshiron të hyjë në bankë të ketë komoditet, apo në një televizion për intervistë,të ndjehet i dobishëm,të mund ti kryej të gjitha obligimet në ministri apo gjithkund ku shkojmë dhe ne.”,- theksoi kryetarja e Asociacionit të Interpretuesve të Gjuhës së Shenjave, Marija Bashevska Stojanovska.
23 Shtatori, shënon “Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave”, si një mundësi unike për të përkrahur dhe mbrojtur identitetin gjuhësor dhe diversitetin kulturor të përdoruesve të kësaj gjuhe.
Sipas Federatës Botërore të të Shurdhërve, në mbarë botën janë përafërsisht 72 milionë njerëz që i përkasin këtij komuniteti, 80 për qind e të cilëve janë nga vendet e zhvilluara. Kolektivisht, ata përdorin më shumë se 300 gjuhë të ndryshme të shenjave.
LEUNORA KALIQI
