Zgjedhjet lokale 2021, KShZ vazhdon aktivitetet për procesin zgjedhor

23.09.2021 18:10

KSHZ deri të enjten në mesnatë...

KSHZ deri të enjten në mesnatë duhet të publikojë në ueb faqen e saj zyrtare listën e vetme të kandidatëve. Listat në komunat ku të paktën 20% e qytetarëve flasin një gjuhë zyrtare të ndryshme nga maqedonishtja, publikohen edhe në gjuhët  e tjera zyrtare në atë komunë. KShZ jep shpjegime edhe rreth mënyrës së votimit.

“Qytetarët do të mund të votojnë edhe me dokument të udhëtimit. Si mjet i vlefshëm  udhëtimi llogaritet edhe ai dokument me afat të skaduar që nga  më 30 Korrik deri më 31 Dhjetor 2021. Qytetarët të cilët nuk janë në listën zgjedhore, por i plotësojnë kushtet për të votuar në ditën e zgjedhjeve, do të duhet të ankimohen, e më pastaj të pajiset me një vendim nga ana e KSHZ-së për shfrytëzimin e të drejtës së votës, dhe atyre qytetarëve në ditën e votimit do ju lejohet të votojnë.”,- tha nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.

KShZ konfirmon dhe se gjithçka është në rregull me instalimin dhe menaxhimin e aparateve për identifikim biometrik. Të drejtë për ta menaxhuar aparatin, do të ketë vetëm kryetari i Këshillit Zgjedhor, apo zëvendësi i tij. Të gjitha aparatet Fingerprint, duhet të kompletohen deri më 1 tetor.

“Nga ana e kryetarit të këshillit zgjedhor dhe nga zëvendësi i tij të cilët janë të pajisur me kartela të specifikuara të identifikimit, dhe vetëm ato janë të autorizuar që ta drejtojnë mjetin për identifikim biometrik, përmes shenjave të gishtërinjve.”,- theksoi anëtari i KShZ-së, Boris Kondarko.

KShZ njofton se  afati për paraqitjen e vëzhguesve është akoma i hapur dhe ata  mund të aplikojnë deri më 6 tetor. 

Partitë do të fillojnë fushatën e tyre të hënën, e ajo  do të zgjasë deri më 15 tetor. Një ditë para zgjedhjeve, votojnë të moshuarit, të sëmurit, të burgosurit si dhe ata që janë në izolim shtëpiak. (Fitim Kryeziu, TVM2)