Regjistrimi, Sela: Zaev nuk mund t’i ikë mendësisë mesjetare
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela....

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ripërsërit se është shumë e nevojshme që të dihet numri real i qytetarëve rezidentë dhe jorezidentë. Ai dyshon se mund të ketë manipulime me numrin e diasporës.
Sela akuzon kryeministrin se assesi nuk po arrin t’i ikë mendësisë mesjetare. Zaev dje tha se ligji për gjuhët, të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë, mbeten absolutisht të njëjta, e nuk mund të ndryshohen në varësi të numrit të përgjithshëm të rezidentëve dhe jorezidentëve të regjistruar.
“Skandaloze më duken deklaratat e kryeministrit Zaevit i cili assesi që të largohet nga mendësia e vet mesjetare. Ai mendon që është sundues. Sepse në mesjetë nga sunduesi vareshin të drejtat e qytetarëve. Sot jetojmë në shekullin 21 dhe nuk duhet të varen të drejtat kolektive të një populli nga dëshira e mirë ose e keqe e ndonjë sunduesi. Por kjo vjen rezultat i përkrahjes të programeve dhe platformave që legjitimohen me votë dhe legjitimohen në Parlament. Ne nuk kemi nevojë dikush të na tregoj përralla, ne e kemi shumë të nevojshme që të dimë numrin real, ligji është decid, ligji numër të përgjithshëm të popullatës e quan shumën ndërmjet popullatës rezidente dhe jorezidente dhe realisht edhe kështu është.”,- tha kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
