Maqedoni
MPB, ende nuk e di çfarë shpërtheu pranë stacioneve policore
10.12.2014 18:15
Deri në këto momente, nga hetimet e bëra nga MPB-ja nuk vërtetohet nëse qëllimet e sulmit të mbrëmshëm ndaj dy stacione policore...

Deri në këto momente, nga hetimet e bëra nga MPB-ja nuk vërtetohet nëse qëllimet e sulmit të mbrëmshëm ndaj dy stacione policore, në Kumanovë dhe Tetovë, kanë qenë pikërisht stacionet policore.
Sipas MPB-së, shpërthimet kanë qenë jashtë stacioneve policore dhe pas hetimeve ende nuk ka as prova nëse është përdorur bombë ose ndonjë mjet tjetër shpërthyes.
Por, ajo që dihet është se stacionet policore nuk janë dëmtuar aspak, për shkak të distancës së shpërthimeve.
“Ende nuk është vërtetuar se kush janë kryerësit, as cilat kanë qenë motivet. Gjithçka që mund të themi është se në periudhën prej orës 20:00 deri 20:30 është denoncuar në Policinë e Tetovës dhe Kumanovës se jashtë stacioneve policore, pra nuk bëhet fjalë për oborrin e stacioneve policore, janë dëgjuar shpërthime. Asnjë stacion policor nuk është dëmtuar, nuk ka dëme materiale, as nuk kanë qenë në rrezik. Ende po zhvillohen hetime, por sipas analizave të para, më e besueshme është se nuk bëhet fjalë për bomba ose bomba-dore”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Pas hetimeve nga ekipet anti–terrorizëm, të kryera menjëherë pas shpërthimeve të dëgjuara mbrëmë, nuk është evidentuar asgjë që mund të vinte në rrezik objektet policore.
Ende po kërkohet se cili ka qenë mjeti shpërthyes dhe kush janë autorët eventual të kësaj ngjarjeje.
BESIM ABDULLAI
