Maqedoni

Ligj i ri për personat me nevoja të posaçme

10.12.2014 18:22

Maqedonia nuk ka një regjistër për personat me nevoja të posaçme. Institucionet nuk e dinë se sa persona me nevoja të posaçme...

Maqedonia nuk ka një regjistër për personat me nevoja të posaçme. Institucionet nuk e dinë se sa persona me nevoja të posaçme vazhdojnë të përballen me barriera në punësim, në shfrytëzimin e transportit publik pa elevatorë, në shfrytëzimin e shërbimeve në institucione shtetërore dhe publike në objekte pa ashensorë.
 
Pavarësisht rregullimit të shumë çështjeve me ligj, ky grup interesi vazhdon të mbetet i margjinalizuar. Problemet pritet të tejkalohen me miratimin e një ligji të ri.
 
“Do të propozohet ligj i ri, i cili do të duhet të përmirësojë punësimin e personave me invaliditet dhe do të rrit vetëdijen qytetare, si dhe të ndikohet në përmirësimin e qasjes në punësimin e invalidëve në RM-së. Kjo është mënyrë për të përmirësuar inkluzivitetin në të gjitha kompanitë. Parashihet sistem kuotash për punësimin e invalidëve dhe propozohet zbatim i pezulluar i këtij ligji nga tetori i vitit të ardhshëm”- deklaroi kryesuesi i Grupit Parlamentar Interpartiak për të Drejtat e Personave me Nevoja të Posaçme, Sasho Vasilevski.
 
Me propozim-ligjin e ri parashihet që kompanitë të punësojnë nga një person me invaliditet në 35 të punësuar.
 
Sipas të të dhënave, në Maqedoni ka rreth 2100 kompani me mbi 35 të punësuar dhe me vënien e ligjit në zbatim, do të mund të punësohen mbi 5000 persona me invaliditet.
 
Me çështjen e personave me invaliditet do të merret edhe Grupi Parlamentar Interpartiak për të Drejtat e Personave me Nevoja të Posaçme, i cili u formua sot.
 
Në “Ditën ndërkombëtare për liritë e njeriut”, Shoqata “Polio Plus” kërkoi mënjanimin e barrikadave të dukshme dhe të tejdukshme shoqërore që kanë njerëzit me handikap.
 
SHPËTIM NUREDINI