Maqedoni

Xhaferi në takimin e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Europës Juglindore

24.09.2021 12:35

Kryaparlamentari Talat Xhaferi po merr pjesë në në Takimin e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Europës Juglindore që si temë ka zgjerimin e BE-së...

Në fjalimin e tij, Xhaferi tha se nëse Unioni dëshiron stabilitet më të madh në fqinjësinë e vet, atëherë nevojitet perspektivë e besueshme europiane për Ballkanin Perëndimor, e bazuar në sistemin e meritave. Por theksoi se  nëse kjo perspektivë dështon , rrezikon të bëhet e lodhshme dhe joatraktive për vendet kandidate pasi nuk i respekton vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian që në plan të parë e vënë prosperitetin, paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të kontinentit.

“Zgjerimi si investim gjeo-strategjik sjell investime afatgjate për Unionin në shumë aspekte, përkatësisht në aspektin politik, të sigurisë dhe ekonomik. Ai paraqet mekanizëm të mirë për përparim dhe shpërblime, që na motivon si vende t’i zbatojmë reformat e kërkuara, rezultati përfundimtar i të cilave do të duhej të jetë fillimi i negociatave, qasja në më shumë fonde dhe më në fund anëtarësimi i plotfuqishëm në Union. Besoj se si shtete dëshmuam se mundemi të ballafaqohemi me sfidat e procesit të integrimit dhe t’i zbatojmë me sukses reformat e kërkuara në afatet e parapara, me ç’rast vërtetuam se jemi partnerë seriozë në këtë projekt të përbashkët.

Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur progres mbresëlënës në fushën e zbatimit të pakos së reformave kryesore, ndërkaq me nënshkrimin dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dëshmuam se mundemi të shërbejmë si model për kohezionin e brendshëm, avancimin dhe kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike. Besonim se me nënshkrimin e marrëveshjes me Bullgarinë dhe me pranimin e të gjitha propozimeve të kryesisë së Bashkimit Evropian të propozuara vitin e kaluar, duke përfshirë edhe propozimin nga maji 2021, do ta tejkalojmë edhe kontestin me Republikën e Bullgarisë, megjithatë, fatkeqësisht, përgjigjja nga Bullgaria është në drejtim krejtësisht të kundërt, plotësisht e ndryshon qasjen ndaj procesit, që është në kundërshtim me përpjekjet për përforcimin e besimit dhe dialogut të pandërprerë politik.

Kuptohet, situata momentale komplekse në Bullgari e pamundëson dialogun tonë më aktiv, duke përfshirë edhe në nivel parlamentar, ku si kolegë deputetë do të mund të bisedonim më hapur dhe në mënyrë më fleksibile dhe të kontribuonim bashkërisht në tejkalimin e kësaj gjendjeje me gjetjen e kompromisit për çështjet e hapura. Megjithatë, edhe krahas të gjitha pengesave, vazhdojmë me procesin e reformave, për vendin, për qytetarët tanë dhe për ruajtjen e notave të larta të marra tanimë. Tanimë njëzet vjet jemi aktivë në kontekst të bashkëpunimit të ndërsjellë në rajonin e Evropës Juglindore dhe rezultatet e mira të gjeneruara vërtetojnë se si vende mundemi të bashkëpunojmë me sukses në rajon dhe të përjetojmë suksese të përbashkëta, që është parakusht kryesor edhe për të ardhmen tonë evropiane. Unë jam i bindur se diplomacia parlamentare mund të vendosë dialog që kontribuon për paqen dhe sigurinë dhe luan rol thelbësor në ballafaqimin me sfidat globale, dhe prandaj jemi aktivë në asambletë ndërkombëtare.

Në Kartën për marrëdhënie të mira fqinjësore, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në Evropën Juglindore nga viti 2000, bashkërisht jemi obliguar të angazhohemi pa rezervë, mes tjerash, edhe për respektimin e parimeve dhe normave të Kartës së Kombeve të Bashkuara, shpresoj se këto postulate do të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë për përshpejtimin e procesit të eurointegrimeve”, potencoi Xhaferi në fjalimin e tij.