Maqedoni
SHGM, të shtunën në zgjedhje për kryesinë e re
10.12.2014 18:24
Sot përfundoi afati për ripërtëritjen e anëtarësisë së Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, e cila të shtunën do të zgjedhë kryesinë e re...

Tashmë është në rrjedhë procedura e dorëzimit të kandidaturave për të gjitha organet drejtuese. Për postin e kryetarit të ardhshëm të SHGM-së, deri tani ka konkurruar vetëm kryetari aktual i saj, Naser Selmani, që deri sot, të paktën, duket se e ka të sigurt edhe për 4 vitet e ardhshme karrigen e parë të Shoqatës më të madhe të Gazetarëve në Maqedoni.
“Në Kuvendin Zgjedhor, delegatët apo anëtarët e shoqatës do të zgjedhin kryetarin e ri të SHGM-së, 14 anëtarët e ri të Këshillit Drejtues, 7 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës dhe 7 anëtarë të Këshillit të Nderit. Deri tani ka interes të mirë nga kolegët për të kandiduar në organet e ndryshme të shoqatës dhe tregojnë interes për të kontribuuar për mbrojtjen e interesave të gazetarëve dhe të një gazetarie profesionale”- deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Zgjedhjet janë ngjarja më e rëndësishme për SHGM-në, pasi në to diskutohet jo vetëm për atë që është bërë në 4 vitet e kaluara, por edhe për të ardhmen e gazetarisë në të ardhmen.
Kuvendi Zgjedhor i SHGM-së sivjet mbahet me moton “Voto për vete, voto për gazetarinë”.
FARIJE DAUTI-BAKIU
