Von Der Layen javën tjetër në Shkup, KE: Mundësi për të diskutuar edhe për kontestin Shkup-Sofje

24.09.2021 16:06

Nga 28 deri më 30 shtator, Von der Layen....

Nga 28 deri më 30 shtator, Von der Layen do të vizitojë  gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor, duke filluar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vizitës në Shkup, do të diskutohet rreth  mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes. Zëdhënësi i Komisionit Europian , Eric Mammer,  konfirmoi vizitën, por pa dhënë  detaje të tjera, duke thënë se pyetjeve do t'u jepet përgjigje në konferencat për shtyp në rajon.

"Presidentja e KE-së  do të shkojë në Ballkanin Perëndimor për të riafirmuar angazhimin e BE -së në rajon. Ata janë partnerë të BE -së me të cilët kemi lidhje shumë të forta dhe vizita do të jetë një mundësi për të diskutuar këto marrëdhënie, përfshirë një çështje bilaterale," tha Eric Mammer.

Kreu i Komisionit Evropian do të vizitojë rajonin një javë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni me udhëheqës nga rajoni. Bashkimi Evropian këmbëngul se ky samit nuk do të jetë një "samit i zgjerimit", por një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet BE-rajon.