Vazhdojnë bllokadat në Kosovë, ushtria serbe në gadishmëri në kufi

24.09.2021 18:44

Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës....

Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, prej pesë ditësh vazhdojnë të mbahen të bllokuara, nga ana e serbëve lokal të nxitur nga Serbia, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të aplikuar reciprocitetin me targat e automjeteve. Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon të qëndrojë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ku nuk janë regjistruar incidente serioze.

“Situata është e njëjtë me pengesa të ndryshme të vendosura me automjete, mjete të rënda transportuese, zhavorr etj, në lokacione të ndryshme drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak”, bëjnë të ditur nga policia e Kosovës.

Por ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq pas vizitës së forcat ushtarake në Rashkë dhe Novi Pazar, që gjendet në kufi me Kosovën, ka thënë se trupat serbe atje ishin në gatishmëri të lartë dhe presin urdhërin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Shtërpc janë vendosur posterë me mbishkrime mirë se vini në asociacionin e komunave serbe.

“Patrulla policore ka raportuar se ka vërejtur në tabelat e rrugës rajonale Ferizaj-Prizren poster me mbishkrimin “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave Serbe”. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori me vendim të të cilit është hapur rasti i lartpërmendur”, - thuhet në raportin e policisë së Kosovës.

Nga  KFOR thonë se po punojnë për të siguruar ambient të sigurtë dhe liri të lëvizjes.

“Misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR vazhdon që në përditshmëri të zbatojë mandatin e Kombeve të Bashkuara- sipas rezolutës 1244 të vitit 1999- për të siguruar një ambient të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thonë nga KFOR.