KSHZ mbylli listën zgjedhore për lokalet, të drejtë vote kanë 1 824 864 votues

24.09.2021 21:58

KSHZ mbylli Listën zgjedhore....

KSHZ mbylli Listën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit. Numri i përgjithshëm që do të kenë të drejtë të votojnë është 1milion e 824 mijë e 864 votues.

Anëtarët e KSHZ-së sonte në mbledhjen e 27-të njëzëri e kanë miratuar këtë vendim dhe siç ka theksuar nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu nga numri i përgjithshëm i votuesve, në certifikatat e Listës zgjedhore janë regjistruar 1 740 147 votues.

Në burimet e posaçme të Listës zgjedhore për persona që konform evidencës së organit kompetent janë me punë të përkohshme ose qëndrim në diasporë janë regjistruar 82 461 votues, për vuajtje të dënimit me burg ose janë në paraburgim janë regjistruar 1899 votuese, persona që janë në institucione ose akomodim jashtëfamiljar janë regjistruar 351 votues dhe në certifikatën e posaçme të Listës zgjedhore që konform evidencës së MPPS-së llogariten si persona të zhvendosur brenda janë regjistruar gjashtë votues.

Nënkryetarja Shehu dhe anëtari i KSHZ-së, Krenar Lloga kanë pasur mendime të ndara apo mospajtime për Listën zgjedhore që u referohet komunave Çuçer Sandevë dhe Butel dhe kanë deklaruar se nuk do t’i nënshkruajnë certifikatat për këto dy komuna.

Për konfirmimin e dukjes dhe përmbajtjes së fletëvotimit zgjedhor që ka qenë pikë e rendit të ditës, anëtarët e KSHZ-së do të vendosin në pjesën e mbyllur të mbledhjes pasi siç tha anëtari Boris Kondarko, ashtu është praktikuar në të gjitha zgjedhjet e kaluara.