Maqedoni
Shtetësia, problem kyç për qytetarët në RM-së
10.12.2014 18:31
Në qoftë se nuk ke nënshtetësi, nuk ke as edhe të drejtat elementare të njeriut, pasi nuk mund të gëzosh edhe të drejtat e siguruara nga shtetit...

Në qoftë se nuk ke nënshtetësi, nuk ke as edhe të drejtat elementare të njeriut, pasi nuk mund të gëzosh edhe të drejtat e siguruara nga shtetit, si sigurimin shëndetësor dhe social.
Kjo u konstatua sot në debatin publik të organizuar nga Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, në të cilin morën pjesë profesorë universitar dhe përfaqësues të ministrive.
Prof. Mersim Maksuti, deklaroi se pa u realizuar e drejta e shtetësisë nuk mund të realizohen liritë dhe të drejtat tjera, të cilat u takojnë qytetarëve të një vendi, ndërsa profesori, Lubomir Frçkovski, ka potencuar se në qoftë se realizohej regjistrimi i popullsisë, saktë do të dihej edhe numri i qytetarëve të Maqedonisë të cilët nuk kanë nënshtetësi.
“Prandaj shtetësia përbën një nga problemet kyçe të qytetarit, të individit, pra paraqet lidhjen midis tij dhe shtetit. Pse është e rëndësishme shtetësia? Është e rëndësishme se qytetari pa e pasur këtë të drejtë nuk mund t’i realizojë liritë dhe të drejtat, të cilat i takojnë një vendi. Problemi nuk është se nuk është zgjedhur në kuptimin ligjor, në aspektin juridik me ligj është rregulluar, por problemi mbi të gjitha vazhdon më tej. Qasja indiferente jo e drejtë, objektive e institucioneve të shtetit kur është zbatimi i ligjit të shtetësisë në RM-së”- deklaroi profesori universitar, dr. Mersim Maksuti.
“Nga ana tjetër, keqpërdorimi i ndarjes së nënshtetësive të qytetarëve, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe janë me përkatësi etnike maqedonase, shqiptare ose turke, ndarja e nënshtetësisë është selektuese. Tek maqedonasit kjo shkon më shpejt dhe keqpërdoret në zgjedhje. Tek qytetarët e Maqedonisë me prejardhje turke thuajse assesi nuk jepen, për shkak se frikohen, sepse ata me prejardhje turke kanë pronë këtu dhe mund të fitojnë të drejtën t’i kthejnë pronat mbrapa dhe për ata është e bllokuar tërësisht, tek shqiptarët ashtu-ashtu nuk është si tek maqedonasit, shkon më ngadalë dhe është më tepër nën presion”- tha profesori universitar, dr. Lubomir Fërçkovski.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, thonë se nuk e kanë shifrën e saktë të qytetarëve të Maqedonisë, të cilët nuk kanë nënshtetësi, por thonë se janë në shqyrtim rreth 500 kërkesa.
Ai, madje thotë se disa nga qytetarët kanë probleme të trashëguara, për shkak të të cilave nuk mund të marrin nënshtetësi, si mungesë e dokumenteve të identifikimit të prindërve, e kështu me radhë.
“Bashkë në nivel të grupit punues pamë se ka rreth 500 njerëz, por edhe në vetë ata persona ka kategorizime, për shembull persona që nuk ekzistojnë, pasi nëna ka lindur me librezë shëndetësie të dikujt tjetër, kemi situatë kur nëna ka lindur në spital, por prindërit nuk kanë dokumente thelbësore për identifikime”- theksoi Elvis Memeti nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Nga Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, Afrim Osmani tha se ky debat u organizua sot me rastin e “Ditës ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut” dhe njoftoi edhe për numrin e dytë të revistës shkencore “Centrum”.
MEFAIL ISMAILI
