Maqedoni

Formimi i komisionit anketues, Zaev: Nuk ikim nga transparenca

25.09.2021 16:27

Kryeministri Zoran Zaev thotë fillimisht duhet të përfundoj hetimi nga organet hetuese mbi tragjedinë e spitalit modualar të Tetovës....

Kryeministri Zoran Zaev thotë fillimisht duhet të përfundoj hetimi nga organet hetuese mbi tragjedinë e spitalit modualar të Tetovës e më pastaj të formohet komisioni anketues brenda Kuvendit. Shton se grupi parlamentar nuk do ti ik përgjegjësive dhe do të mbetet transparent me qellim qe te zbulohet e vërteta mbi këtë tragjedi. Zaev edhe njëherë përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të shkarkojë ministrin e shëndetësisë Venko Filipce.

“Nuk munden përfaqësuesit politik të jenë kryesorë dhe bartës të hetimit. Kur të përfundon hetimi dhe të thuhet gjithçka, Parlamenti e ka të drejtën ashtu siç ka bërë në të kaluarën të hap debat anketues, t’i thërras përfaqësuesit, përgjegjësit t’i pyes dhe përmes parlamentit të dëgjohen përgjigjet që i kërkon populli ynë.”, tha Zoran Zaev, kryeministër.
 
VMRO-DPMNE: Pushteti tenton ta fsheh tragjedinë në Tetovë
 
Opozitarja VMRO DPMNE akuzoi pushtetin se me refuzimin e komisionit anketues tenton të shmang të vërtetën për tragjedinë e spitalit modular.
 
“Pushteti dëshiron të harrohet ky skandal, dhe jo vetëm Prokuroria Publike, por edhe Kuvendi dëshiron një gjë të tillë i cili refuzon të debaton për këtë temë. Të gjitha institucionet janë venë në shërbim të pushtetit për të fshehur këtë skandal. Prokuroria Publike ta kryen punën e saj me profesionalizëm dhe pa ndikime, duke thirrur në përgjegjësi personat kompetent për çështjen e Tetovës.”, tha Mile Lefkov, deputet i VMRO-DPMNE-së.
 
Në Kuvend është inicuar formimi i Komisionit anketues për tragjedinë në Tetovë, por fillimisht kjo iniciativë është kthyer mbrapsht, për shkak se nuk ishte në rregull formalisht. Tani për shkak se vendi hynë në fushatë zgjedhore do të ndërpritet aktivitetet në Kuvend. Kësisoj edhe formimi i Komisionit anketues do të presë.
 
ZEKIRJA MEXHITI