Botë

Situata në veri të Kosovës, sërish provokime nga pjesa Serbe

26.09.2021 15:11

Po bëhen 7 ditë, që kur dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë....

Po bëhen 7 ditë, që kur dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, vazhdojnë të jenë të bllokuara si rezultat i revoltës së serbëve lokalë për vendosjen e reciprocitetit për targa nga ana e Qeverisë së Kosovës. E pas dy incidenteve që ndodhën në Zubin Potok e Zveçan, serbët vazhdojnë të provokojnë sërish situatën në veri. Mëngjesin e së dielës janë parë sërish dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovë. Megjithëse raportohet  se situata është qetë dhe nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.  
 
Situata në Veri të Kosovës, Kurti takon liderët e opozitës
 
Situata ne veriun e Kosovës këtë të diel ka bërë bashkë kryeministrin Kurti me liderët e opozitës. Në takim morën pjesë kryetari i PDK, Memli Krasniqi dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Nuk ishte i pranishëm,vetëm lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Në takim është biseduar për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës, me çrast është theksuar përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”. 
 
Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku, kanë shprehur mbështetjen për sundimin e ligjit në Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit të Kosovës. 
 
“Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë pa dallim. Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in.”, tha Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.
 
“Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Kryeministrit Kurti i kërkova koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në. Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë.”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.
 
Prej 20 shtatorit, kur hyri në fuqi masa e reciprocitetit për targat nga Serbia, dy rrugë Në Jarinjë dhe Bërnjakë  që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë bllokuar nga serbët lokalë të cilët po e kundërshtojnë këtë masë. Në veri të Kosovës është stacionuar  edhe njësiti special I policisë së Kosovës, të cilët po mbajnë  nën kontroll rendin dhe qetësinë. Për situatën e krijuar në veriun e Kosovës, qeveria Kurti akuzon Serbinë, Kurti  kërkon nga faktori nderkombetar të mos i mbyll sytë para nxitjes që bën regjimi autokrat në Serbi ndaj qytetarëve të caktuar të Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani ka anuluar qëndrimin në SHBA, ndërsa mbremjen e së shtunës kryeministri Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare.  
 
ZEKIRJA MEXHITI