Presidentja e KE-së të martën në Shkup, KE: Mundësi për të diskutuar edhe për kontestin

27.09.2021 11:52

Të martën në Shkup qëndron presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Layen....

Të martën në Shkup qëndron  presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Layen, që nis kështu një tur vizitash në   gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor.

Gjatë vizitës në Shkup, do të diskutohet rreth  mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes. Bullgaria  në fund të vitit 2019, bllokoi nisjen e  negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. 

Mes dy vendeve tona ka një Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë të nënshkruar në vitin 2017, por që shkelet në vazhdimësi e për këtë shkelje  përfaqësuesit e të dy vendeve fajësojnë në vazhdimësi njëri -tjetrin.

Zëdhënësi i Komisionit Europian , Eric Mammer,  konfirmoi ditë më parë  vizitën, por pa dhënë  detaje të tjera, duke sqarua  se pyetjeve do t'u jepet përgjigje në konferencat për shtyp në rajon.

"Presidentja e KE-së  do të shkojë në Ballkanin Perëndimor për të riafirmuar angazhimin e BE -së në rajon. Ata janë partnerë të BE -së me të cilët kemi lidhje shumë të forta dhe vizita do të jetë një mundësi për të diskutuar këto marrëdhënie, përfshirë një çështje bilaterale," tha Eric Mammer.

Kreu i Komisionit Evropian  viziton  rajonin një javë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni.

Bashkimi Evropian këmbëngul se ky samit nuk do të jetë një "samit i zgjerimit", por një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet BE-rajon.