Zgjedhjet lokale 2021, nis zyrtarisht fushata zgjedhore

27.09.2021 12:18

Nisi edhe zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit....

Nisi edhe zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, e cila do të zgjasë  deri në 15 tetor në mesnatë. KSHZ ka konfirmuar 300 lista për kryetarë komune dhe 576 për këshilltarë dhe tashmë radhitja e tyre në fletëvotim, u përcaktua  me short.  Partitë nisën fushatën me konventat promovuese dhe tubimet e para, edhe pse takimet me qytetarët  kanë filluar shumë më herët se nisja zyrtare e kampanjës zgjedhore.

Parashtruesit e listave mud të ankohen në KSHZ nëse vlerësojnë se ka ndonjë shkelje në fushatë.  

Në zgjedhjet lokale , të drejtë vote kanë 1,824,864 qytetarë.

Për herë të parë, do të përdoren terminalet për leximin e shenjave të gishtërinjve të votuesve për të përcaktuar identitetin e tyre dhe për të shmangur parregullsitë eventuale gjatë votimit.

Deri më 1 tetor në vend duhet të arrijnë të gjithë terminalet, si dhe sistemi të cilin duhet ta dorëzojë kompania gjermane “Dermalog”.

Në rrjedhë është edukimi i anëtarëve të organeve zgjedhore, e  paralelisht po rrjedhin edhe të gjitha aktivitetet e tjera për organizim të suksesshëm të zgjedhjeve. Edhe këtë vit zgjedhjet do të mbahen me zbatimin e masave anti Covid dhe do të krijohen komisione të veçanta zgjedhore për ata që do të shprehin interes për të votuar dhe ditën e zgjedhjeve, e që janë  të izoluar ose Covid  pozitivë.

Procesi do të vëzhgohet nga Misioni i  OSBE/ODIHR-së  dhe organizata të tjera.

Afati për akreditim të vëzhguesve për zgjedhjet përfundon më 6 tetor.

Parregullsitë eventuale do t’i monitorojë edhe komisioni i përkohshëm i ngritur nga Prokuroria Themelore Publike,  ndërkohë që edhe  Avokati i popullit  ka hapur linjën telefonike pa pagesë 0800 54321, në të cilën qytetarët do të mund të paraqesin çfarëdo lloj shkelje të të drejtave të tyre, si fushatës zgjedhore dhe në ditët e mbajtjes së rrethit të parë dhe të dytë të Zgjedhjeve lokale.

Për paraqitje të shkeljeve eventuale, qytetarët mund të drejtohen edhe në gjashtë zyret rajonale të Avokatit të Popullit, çdo ditë pune. (Flutura Latifi, TVM2)