Poroshenko i kërkon Rusisë që të heq trupat nga Ukraina

11.12.2014 14:33

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund mbështetjes së saj për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës......

Ai ka kërkuar nga Rusia që t’i heq forcat e saj nga toka ukrainase dhe të mbyllë kufirin me Ukrainën, duke thënë se vetëm kështu brenda javësh do të arrihej paqe dhe stabilitet në Ukrainë.

Moska në vazhdimësi ka mohuar se ka ndonjë rol në Ukrainën lindore. Poroshenko, këto komente i ka bërë të enjten gjatë një vizite në Australi, teksa është takuar me kryeministrin australian, Tony Abbott.

Abbott, ka shfaqur mbështetjen e vendit të tij për Ukrainën. Komentet në Melburn janë bërë disa ditë pas përleshjeve në mes të trupave ukrainase dhe separatistëve, përleshje që kanë dobësuar shpresën për funksionimin e armëpushimit. Kievi e ka hedhur poshtë mundësinë e diskutimit për paqe derisa rebelët t’i ndalojnë plotësisht gjuajtjet me armë.