Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, BDI hap fushatën në Gostivar
27.09.2021 14:54
Bashkimi Demokratik për Integrim fillon fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit nga qyteti i Gostivarit....

Bashkimi Demokratik për Integrim fillon fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit nga qyteti i Gostivarit. Në tubimin zgjedhor në Gostivar BDI do të prezantojë kandidatët për kryetarë komune dhe këshilltarë komunal, në veçanti kandidatin për kryetar Komune në Gostivar, Nevzat Bejta dhe programin zgjedhor për këtë komunë. Kryetari i Degës së BDI-së në Gostivar, Bashkim Hasani numëroi projektet që janë pjesë përbërëse e Platformës Zgjedhore të BDI-së për Komunën e Gostivarit. Sipas tij programi është përpiluar në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe qytetarët.
“Bashkë me Nevzat Bejtën si kandidat, pas 17 Tetorit do të fillojmë rrugëtimin e përbashkët për një qytet të pastër, të sigurtë për banorët dhe fëmijët e tyre, për infrastrukturë publike moderne, sportive, ambiente rekreative dhe arsim cilësor. Është koha të ngrihemi për Gostivarin, të ndalojmë kaosin, ta çlirojmë qytetin nga qentë endacak, ta shëndrrojmë deponinë Rusino në një deponi të sigurtë e të rregulltë dhe të largojmë kazinot nga qendra e qytetit.”, tha Bashkim Hasani, kryetar i Degës së BDI-së në Gostivar.
Për manadatin e ardhshëm katërvjeçar Bashkimit Demokratik për Integrim për Gostivarin parasheh më shumë gjelbërim dhe ndërtim të pjesës së pazhvilluar të parkut, shtigje të reja vrapimi dhe çiklizmi, pastrimiin e qytetit dhe rregullimin e deponisë Rusino, ndërtimin i një qendre të posaçme dhe moderne për strehimin dhe trajtimin e qenve endacak si dhe zhvendosjen e kazinove dhe lojërave të fatit nga vendbanimet.
“Katër vitet e ardhshme do të jenë vitet e realizimit të shumë projekteve për një infrastrukturë moderne si: tre parkingje nëntokësore, ashtu si dhe ndërtimi i urës së re që do mundësojë lidhje me autostradën rajonale – e ndërtuar bashkë me ekspertët gjatë planifikimit urbanistik. Do të zgjidhim problemin e parkingut e do të sjellim rend në qarkullimin e trafikut.”, tha Hasani.
Furnizimi me ujë të pijshëm dhe një sistem modern kanalizimesh për të gjithë qytetarët si në qytet poashtu edhe në fshatra është një premtim tjetër elektoral i BDI-së. Hasani premtoi shkolla të reja e moderne, një stadium të ri multifunksional, parqe të reja dhe zona të gjelbra. Por jo vetëm kaq, me programin e BDI-së për Gostivarin parashihet edhe vendosja e sistemeve të ngrohjes ekologjikе, gazifikim në çdo vendbanim, transporti publik, administratë elektronike dhe shërbime digjitale si dhe programe për të rinjtë.
SHPËTIM NUREDINI
